Ndryshon vendnumërimi në Kavajë dhe Tropojë, KQZ vendos menjëherë pas letrës, zbulohet përmbajtja

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar në mbledhjen e sotme ndryshimin e vendndodhjes së vendnumërimeve vendore në Kavajë e në Tropojë. Ky vendim vjen pas shkresës së bashkive përkatëse të cilat drejtohen nga demokratët, drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Kështu, vendnumërimi vendor nr.42 në Kavajë do të tranferohet në shkollën 9-vjeçare “3 dëshmorët”, ndërsa VNV nr. 9 në Bashkinë Tropojë, transferohet në një subjekt privat.

Në KZAZ 42 në Kavajë dhe në atë me nr.9 në Tropojë ka pasur përplasje, pasi kryetarët demokratë të bashkive kërkuan të lirohen ambientet e parashikuara për zgjedhjet, në zbatim të zhdekretimit të 30 Qershorit si datë zgjedhjesh në Republikën e Shqipërisë.