Në atë periudhë ishte dobësuar, fati e dënoi shumë rëndë me atë që ndodhi me Kostandinin…Gjergji nuk duhet ta paguante

“Iku një baba, një bashkëshort një krijues, një kineast. Ndarja nga jeta e Gjergjit na ka tronditur të gjithëve, është një humbje e madhe për të gjithë komunitetin e kineastëve”.

Regjisori Saimir Kumbaro, i prekur nga humbja e kolegut-mik, shpreh vlerësimin e tij për kontributin që Xhuvani dha për filmin shqiptar, por edhe për Gjergjin si njeri human e me zemër të madhe.

Njohja e tij me Xhuvanët, nis me të atin, Dhimitrin. Shkrimtari do t’i besonte Kumbaros e Rikard Llarjas skenarin e “Rrugica që kërkojnë diell”, kur ai ishte ende në hapat e parë si regjisor.

Dellin artistik të të atit Dhimitrit, siç Kumbaro rrëfen, e kishte trashëguar më së miri edhe i biri.

“Veçanërisht prej krijimit të Qendrës, me filmat që ai bëri, justifikoi jo vetëm veten, por edhe kinemanë shqiptare në përgjithësi”, thotë Kumbaro.

Takimin e fundit e kujton në studion e producentit Dritan Huqi, me të cilin Gjergji po bashkëpunonte së fundmi.

“Në atë periudhë ishte dobësuar, kuptohet që kanë ndikuar nga pak të gjitha. I ra një fatkeqësi e madhe me atë që ndodhi me Kostandinin! Fati e dënoi shumë rëndë, dhe atë haraç Gjergji nuk duhet ta paguante”, shprehet regjisori.

Kulmin në karrierën e tij, sipas Kumbaros, Gjergji e arriti pas viteve ’90. “Veçanërisht pas viteve ’96, me krijimin e Qendrës Kinematografike, krijoi disa filma të mirë si “Parullat”, “I dashur armik”, “Lindje, perëndim, lindje” etj. Gjergji punonte shumë me karakteret dhe për mua karakteret përbejnë vlerat e një kinemaje realiste, siç është kinemaja shqiptare”.

Kolegun e çmon dhe për zërin që i dha filmit shqiptar jashtë vendit. Me “Parullat”, ai çoi për herë të parë filmin shqiptar në Kanë, “Me këtë film shpuri në atë festival, një lloj vështrimi, imazhin dhe konceptin e tij, për sa i përket mënyrës se si duhet trajtuar një film. Nuk ishte film amerikan, as komerical, por me një filozofi shumë realiste dhe përçuese te spektatori. Absurdi i asaj kohe vjen përmes një humori shumë fin, sepse e kishte Gjergji humorin fin dhe diti ta çojë shumë mirë tek artdashësit e kinemasë”, rrëfen Kumbaro.