Ne dështuam, na mundën banditët

Nga Enton Abilekaj

Prishja e Teatrit ishte dështimi ynë. Ne dështuam, banditët fituan. E zbuluam planin, ditën kur do ta grabisnin dhe nuk mundëm ta ndalojmë. Një pirg rrënojash në vend të një ndërtese që strehonte kujtimet tona që nga koha kur filluam të kuptojmë, pluhur dhe tym në prehërin e fundit ku vinim kokën për ngushëllim, ndërsa shihnim qytetin të humbiste historinë e re dhe të vjetër, një kufomë e shpërbërë në çast e dëshmitarit të fundit të artit skenik, muze i dhunuar i plejadës së aktorëve që lindën dhe rritën Teatrin shqiptar, vendngjarje e bastisur e rezistencës modeste të një shoqërie të dështuar ndaj një regjimi të instaluar prej një bande hajdutësh.

Simbolika më e mirë e trashëgimisë që Edi Rama me shërbëtorin e punëve të pista, Erjon Veliaj dhe me gjeneralin e degraduar për t’u bërë ushtar besnik, Sandër Lleshaj po i lënë vendit.

Në tragjedinë e fundit, Teatri u bë aktor kryesor, u vetësakrifikua me shpresën se më në fund do kuptojmë, që nuk duhet të dorëzohemi përpara çdo banditi që merr pushtetin për të na shtypur, për të na vjedhur, për të na përzënë nga shtëpitë dhe nga atdheu.

Me vetësakrikimin përpara babëzisë, na thotë që nuk mund të vazhdojmë më të jemi shoqëria më e dështuar në Europë, të nëpërkëmbemi përpara çdo hajduti ordiner, që vjen në pushtet për të zhvatur ç’të mundë dhe ikën të jetojë i pashqetësuar duke lënë mjerimin mbrapa, që jo çdo pis mund të tallet me fatin e shqiptarëve të nënshtruar, të zhveshur nga cdo ndjesi dhe mendim social që ndahen në skllevër të varfër, shërbëtorë të majmur dhe hajdutë të pasur që po zhdukin çdo shenjë të Kombit, çdo mundësi për të jetuar në atdhe, çdo shpresë të qytetarëve për të mos marrë rrugët e Botës për të jetuar si në atdheun e tyre.

Sepse atdheu është i pushtuar nga banditët – bashkëkombas që po sfidojnë me dëmin historik të gjithë pushtuesit që ky truall të nënshtruarish ka njohur në histori.

Unë dështova. Jo për herë të parë, por më keq se të gjitha herët e tjera. Ashtu si dështova në 1996, kur u vodhën votat për herë të parë, kur paratë e shqiptarëve u bënë pre e mashtrimit të piramidave dhe në 1997, kur vendi u fut në një luftë që mund të ishte fatale dhe rregullisht më pas, pas çdo vjedhjeje dhe grabitjeje, pas çdo dëmi që i bëhej vendit, pas çdo ardhje-ikje të banditëve me kravata që mbushnin xhepat me paratë tona dhe iknin.

Dështoja vazhdimisht deri sot, duke u ngjirur kot për mungesën e drejtësisë, për padrejtësinë që i ka zënë vendin.

Dështoja duke parë se që nga 1996 zgjedhjet nuk mundeshin më të bëheshin të lira, se ata pak njerëz që besonin se mundësitë e demokracisë do të sillnin kontrollin mbi qeverinë, po iknin një nga një, se nevoja për bukën e gojës po zëvendësonë ekzigjencën ulëritëse për t’i trembur pushtetarët – hajdutë të votave, parave dhe lirive.

Dështoja të shpërndaja sadopak shpresë që ky vend mund të bëhet nga shqiptarët nëse ata nuk ndërrojnë atdheun për shkak të pushtimit hajdut që bëhet rregullisht çdo 8 vjet.

Ishin dështime të paralajmëruara, dështime që linin pas një mësim, një mundësi, një shpresë rrugëdaljeje. Ky i sotmi ishte më i rëndi, më turpëruesi, më i pakthyeshmi.

Dështim që nuk lë mbrapa shpresë, vetëm një gërmadhë të madhe në shpirt, në mendje dhe në sy. Për pothuajse 2 vjet, u ndërtua mbi kërcënimin e prishjes një strehë e vogël rezistence, kur ata pak njerëz e shihnin njëri-tjetrin në sy dhe besonin se do ia dilnin; të shpëtonin dicka nga ky shkatërrim i madh, të krijonin një bërthamë të vogël që mund të shërbente për ortekun e zemërimin ndaj nëpërkëmbjes 30 – vjecare që pasoi diktaturën 45 – vjecare.

Vetëm pak minuta para orës 05.00 të mëngjesit të 17 majit e gjithë kjo u rrënua bashkë me strehën e paharrueshme të Teatrit Kombëtar. Një dështim që nuk kapërdihet, që lë pas vetëm dorëzim.