“Në djáll Maradona!”, Çlirim Gjata trazon rrjetin me postimin e tij: E kush ishte…10 vjet bëri futbollistin, pastaj një drògaxhi i llastuar që bënte lolon e Kastros



E mërkura ishte një ditë e trishtë për të gjithë futbolldashësit, ku u shua një prej yjeve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, argjentinasi Maradona.



Postimet për largimin e tij nga jeta kanë qenë të shumta dhe nga politikanët shqiptarë, por një status që ka hasur shumë polemika është ai i juristit Çlirim Gjata, i cii mes të tjerave shprehet ”në djáll të shkojë Maradona”.



Gjata është ndalur te humbjet si pasojë e Covid në vendin tonë, ku zbulon se 3 prej tyre që u shuan në një ditë, i njihte nga afër, dhe nuk gjen fjalët të ngushëllojë familjen e mjekut Bledi Nini, apo pedagoges Kozeta Noti.

Statusi i plotë:

Këto ditë, nga njerzit që kam njohur, u ndanë nga jeta për shkak të covid-19 dy mjekë dhe një pedagoge. Media po çahet për vdekjen e Maradonës. Në djáll Maradona! Po na ikin të njohurit, miq e të afërm dy hapa larg nesh.

E kush ishte Maradona?! Një futbollist i shquar për 10 vjet e më pas një drògaxhi i llastuar për 30 vite. Sa herë kishte nevojë për para, shkonte te komunistët në Kubë dhe bënte lolon e Fidel Kastros.

Ndërsa sot humbi luftën me virusin një doktor i mrekullueshëm, doktor Nini. E kam njohur më pak, sepse më shumë kam njohur prindërit e tij të urtë. Dy juristë me të cilët kam punuar e që shquanin me qytetarinë e tyre.

Po kështu edhe doktor Ibrahimi nga Dibra. Çfarë burri! I jashtëzakonshëm! Me aq pak sa kam ndenjur me doktor Ibrahimin, të lë kaq shumë keqardhje.

Po kështu edhe zysh Kozeta. Në protestën e Teatrit më ra rasti ta njoh. Ajo që binte në sy ishte optimizmi i saj, që rrallë gjëndet ndër shqiptarë.

A thua covid po merr veç njerëz të mirë, apo na duket ne, se nuk po kalon nga vatha e dreqit? Në raste tilla bestytnia bën të vetën.

Po qeveria ku është? – pyesim si ai fëmija në fund të përrallës për kafshën e frikshme të papërmendur. Qeveria dërgon ansamblin popullor poshtë dritareve të covid të kërcejë. Ose më mirë të themi, po hedh valle para të vdekurve.

Ndërsa për Maradonën do mbahen minutat hipokrite të heshtjes, në ndeshjet me stadiume bosh, për këta njerëz nuk do të ketë heshtje publike. Ne nuk ju shkojmë dot në varrim, as për një kafë në shpi, të shoqëruar me “të rroni e ta kujtoni” nuk mundemi. Çfarë smundje e mallkuar.

Por, do të kenë kujtimet tona, që zgjasin po aq sa ne e përtej nesh. Këta njerëz e shumë të tjerë si këta, kanë zënë vend në memorje dhe kjo ka vlerë më shumë se gjithë heshtja e botës. Do luftojmë kundër kësaj sëmundjeje; do rrojmë dhe ti kujtojmë të gjithë të humburit tanë.