“Ne donim pak liri kolektive”

Vitet e errëta të komunizmit kanë lënë plagë dhe shenja të forta, që ndihen ende sot. Një ndër ato plagë, të cilën e vuajnë shumë shqiptarë, është thyerja dhe ndërprerja e ëndrrave të të rinjve për t’u shkolluar…
***

“Ne donim pak liri kolektive
Ishte viti shkollor 1962-1963, dhe ne ishim në vitin e dytë të shkollës 11-vjeçare Jordan Misja, Shkodër.
Klasa jonë kishte nxënës shumë të mirë dhe të lidhur fort me njëri-tjetrin… Atë periudhë, të gjithë nën një zë kishim pakënaqësi nga disa mësues të shkollës, e sidomos me atë kujdestar, Ylli Begolli, i cili jepte lëndën e kimisë.

Kishte ardhur nga Tirana dhe tregonte se kishte qenë balerin në kryeqytet. Më vonë na thanë së ai kishte qenë balerin në Sigurimin e Shtetit….

Një ditë, në qytet ra dëborë, dhe ne vendosëm pa e menduar shumë, që të gjithë të linim mësimin dhe të dilnim të luanim, ishim 15-16 vjeç.

Të gjithë ikëm, vajza dhe djem, vetëm njëri prej nesh mbeti në klasë.
Kaluan disa orë duke luajtur ne vendin e quajtur Penda e Lumit Kir, ndërsa në shkollë ishte dhënë alarmi.

Mësues Ylli erdhi dhe na gjeti, duke na vendosur më pas në rresht për në shkollë.
Kur hymë në klasë, na rrahu të gjithëve me gjithë fuqinë e inatin që kishte. Kujtoj një vajzë që e kundërshtoi, të cilës ia përplasi kokën në bankë dhe e gjakosi.

Pas largimit tonë, alarmi ishte dhënë edhe në Komitetin e Partisë dhe Sigurimin.
Vitin që pasoi, një pjesë e nxënësve të klasës sonë u transferuan në shkollën 11-vjeçare Ali Laçaj, Shkodër… me ta isha edhe unë.

Sigurimi kishte dhënë urdhër që ë gjithë nxënësit e ardhur aty, të mbeteshin në klasë… dhe këtë e kreu më së miri mësuesi I lëndës së fizikës, Sadetin Kopliku!

Vetëm dy nxënës shpëtuan, G.N., një djalë guximtar i cili shkoi në D. P. Br, dhe tha se të “gjithë katolikët po i ngelin” në klasë. Pas kësaj, ai kaloi, e kjo edhe për shkak se kishte të afërm disa anëtar partie.
Nga ana tjetër, shoku im Marku, një trupmadh për moshën që kishte, iu drejtua mësues Sadetinit, duke i thënë se “shkolla ishte jeta për të”.

“Jeta ime asht shkolla, po më mbete… jetë për jetë”.
Mesa duket ai i mendoi gjatë fjalët e Markut, dhe e kaloi. Më vonë Marku u bë mjek.
Edhe në shkollën Ali Laçaj, në këtë kohë, kishte pasur një ngjarje që kishte tërhequr vëmendjen.
Dikush kishte paditur se një grup nxënësish kishin biseduar për një arratisje. Pas marrjes së këtij informacioni, të gjithë nxënësit, një për një, i patën dërguar në zyrat e D. P. Br. Shkodër, e madje disa kishin vendosur edhe firma… Një shok i atij grupi mi tregoi edhe me emra.

“Këtë nder e kini nga Bashkimi”, i pati thënë nëndrejtoresha e shkollës. Të gjithë këta i transferuan më pas në shkollën Jordan Misja, njëjtë siç bënë me ne!

Sigurimi, me anë të njerëzve të tij, eliminonte talente që në fëmijëri ose rini, persekutim tinëzar!!
Eliminoi disa piktorë dhe futbollistë…

Eliminime sot, eliminime nesër, eliminime ndër vite… ka mbetur Shkodra në dorë të disa shkarravinave”.

/ Angjelin Staka, ish-nxënës i asaj shkolle