Në fillim futbolli, tashmë basketbolli, cili është sporti i radhës që do shkatërrojë bashkia?

Fillimisht u mor me Vllazninë e futbollit. Qëllimin e arriti duke e hedhur në Kategorinë e Parë. Por, me një gur vrau dy zogj, pasi hodhi në të dytën edhe Vllazninë B. Tashmë radha i erdhi basketbollit për ta shkatërruar. Kështu pra, Bashkia Shkodër, nën drejtimin e titullares Voltana Ademi, po vijon me sukses shkatërrimin e sportit në qytetin që njihet si djep i sportit dhe kulturës në të gjithë vendin tonë.

Në fakt, shkatërrimin e basketbollit e ka nisur prej disa kohësh, por tashmë situata është bërë e padurueshme nga sportistët. Degradimi i këtij sporti në Shkodër nisi që kur u bë e mundur largimi i sponsorëve për të vijuar më pas të qetë me largime, dorëheqje dhe ulje pagash të lojtarëve dhe stafit. Tashmë, edhe ato pak lojtarë që kanë mbetur nuk janë të kënaqur me “politikat” e klubit dhe nuk pranojnë të stërviten. Tepër e drejtë.

Por, ajo që është më e keqja është se nuk ka shpresa për një zgjidhje të problemit. Vllaznia në basketboll për meshkuj edhe nëse i rikthehet kampionatit apo stërvitjeve do e ketë shumë të vështirë mbijetesën në Superiore. Pra, mesa duket premtimi për Vllazninë kampione në Kategorinë e Parë për futboll, do të ketë qenë edhe për sportet e tjera.

Por, ndoshta bashkia nuk do të ndalet këtu. Ndoshta tashmë radha do i vijë boksit, Vllaznisë në futboll për femra apo çiklizmit. Tre sportet e vetme që vijojnë të shpallen kampione në Shqipëri dhe akoma nuk janë përfshirë në “planet” e bashkisë për ti dërguar edhe ato drejt greminës. Në fakt, edhe me boksin ka pasur tentative për ta dëmtuar, siç ka bërë të ditur edhe vetë trajneri Gjoni në aktivitete të ndryshme, por fatmirësisht deri tani ka shpëtuar… /ShkodraNews