“Në moshën më të bukur, u nda nga jeta Ergysi”, miqtë e punëtorit që ra nga skela përlotin rrjetin: Ike para kohe

Familjarët dhe miqtë e Ergys Ibrahimit, një prej punëtorëve të ndërtimit që ndërroi jetë pasi ra nga skela dy ditë më parë kanë shprehur dhimbjen e tyre në rrjetet sociale.

Në postime të ndryshme, qytetarët e Gramshit shkruajnë se Ergysi ishte një djalë i guximshëm që ja doli vetë mbanë në jetë.

Ata e tregojnë të ndjerin një njeri fjalëpakë dhe punëtor. Këto njoftime janë publikuar në faqen zyrtare të Gramshit ku dhe është njoftuar se varrimi i tij do të nesër në orën 11:00.

“Krejt papritur dhe në moshën më të bukur, u nda nga jeta bashkëqytetari ynë Ergys Shkelqim Brahimi. Nga sot qytetit tone do t’i mungojë një njeri i urtë, i sjellshëm, fjalëpaktë e punë shumë.

Do t’i mungoje një i ri që, për aq sa jetoi, diti të ec guximshëm në rrugën e vështirë të jetës. Ergysi punoi pa kursyer asgjë, sepse puna ishte virtyt i bekuar prej Zotit vet.

U prehtë në paqe shpirti i Ergysit dhe ngushëllime prindërve, motrave dhe familjareve te tij! Lamtumire, shoku yne Ergys! Varrimi behet nesër në orën 11.00 dt. 18.08.2019m,”- shkruhet në status.

Një skelë u shkëput nga një pallat në Tiranë dy ditë më parë duke bërë që të ndërronin jetë dy prej punëtorëve, Orjan Kodra dhe Ergys Brahimaj.

Tre të tjerë Genti Bardhi 29 vjeç punëtor ndërtimi i firmës “Xhimi”, ndërsa Euglidios Lika 34 vjeç dhe Altin Marku 36 vjeç punëtor i firmës skela “Syla”, mbetën të plagosur dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Faik Konica”, në pallatin ku banon Erion Braçe.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar dy teknikët e kompanive dhe është shpallur në kërkim Petrit Syla, pronari i skela “Syla.