Në Pukë ka festë, Vllaznia B del pa pikë

Vllaznia B nuk ia ka dalë që të shtyjë festën e Tërbunit. Pukjanët kanë fituar me rezultatin e ngushtë 1 – 0 në shtëpi ndaj Vllaznisë B dhe kësisoj shpallet kampion i grupit A në Kategorinë e Dytë, e si rrjedhojë rikthehet në Kategorinë e Parë.

Në takimin e zhvilluar në Pukë, vendasve u ka mjaftuar një gol i shënuar që në minutën e 42-të nga Saliaj. Shkodranët do të mundoheshin të gjenin golin e barazimit, por pa rezultat edhe pse në përbërje kishin edhe lojtarë të ekipit të parë.

Kështu, një javë nga përfundimi i kampionatit, Tërbuni shpallet kampion në këtë grup, ndërkohë Vllaznia B mbetet në vendin e 7-të me 37 pikë dhe me shumë mundësi do e mbyllë në këtë vend këtë sezon në Kategorinë e Dytë, duke shpresuar që sezonin e ardhshëm objektiv të jetë rikthimi në të Parën. /ShkodraNews