Negociata dhe marrëveshje me Ramën? Ja çfarë do lajmërojë Basha sot pasdite

Kjo e mërkurë ishte një ditë e ngjeshur takimesh për kryetarin demokrat Lulzim Basha, i cili ditën e nisi me aleatët të cilët përcollën edhe mesazhi kryesor.

“Nuk do lejojmë zgjedhje më datë 30 qershor me gjithë aksionin e mundshëm opozitar, në 360 gradë”, tha Dashamir Shehi.

Një ditë më parë, erdhën sinjalet e para positive për zgjidhjen e mundshme të krizës me negocim ndërkombëtar, por krahas këtij zhvillimi të ri, opozitar ka vendosur të mos tërhiqet nga protestat.

“Aksioni fatkeqësisht do spostohet në rrugë. Nuk do heqim dorë nga takimi me ndërkombëtarët”, tha Shehi.

25 maji, data më e përfolur për protestën e radhës kombëtare në takimet e njëpasnjëshme me aleatët, krerët e degëve dhe kryebashkiakët demokrat. Por kjo datë është ende në pikëpyetje pasi përkon edhe me zgjedhjet në Parlamentin Europian.

E ënjta nuk do të sjellë më bllokim të rrugëve, ndërsa vendimi përfundimtar për protestën e 6 kombëtare pritet të merret në mbledhjen e pasdites me kryesinë dhe ish-grupit parlamentar.