“Nëse nuk e bën, do të bojkotojmë”, Hashim Thaçi i kërkon falje publike gazetarit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi prej disa ditësh është vënë në qendër të mediave pas deklaratës për ndryshimi të kufijve me Serbinë. Kjo bëri që gjatë konferencës së fundit për mediat, Thaçi të humbte durimin përballë gazetarit të “Koha Ditore”.

Por, një ditë më pas, Thaçi i ka kërkuar publikisht familje gazetarit të Kohës Ditore, Fitim Gashi, për fyerjen kur i drejtoi pyetje për procesin e dialogut me Serbinë. Reagimi erdhi pasi gazeta lajmëroi se ndërpresin bashkëpunimin me të, nëse nuk kërkonte falje.

Ky është shkrimi i plotë i kërkimfaljes së Presidentit:

Faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces i ndejshëm dhe historik për Kosovën. Për të gjithë gazetarët, mediumet dhe përmes tyre qytetarët e Kosovës, ky do të jetë një proces i hapur. Për të rritur transparencën dhe mënjanuar keqkuptimet dhe keqinterpretimet, këtë muaj kam mbajtur konferenca të shpeshta për media, për të dhënë sqarimet e nevojshme.

Dua t’i falënderoj të gjitha mediat dhe gazetarët në Kosovë, që në javën e fundit janë duke përcjellë me profesionalizim procesin e dialogut. Në këtë bashkëbisedim me gazetarët, gjithmonë mundohem të jem i hapur dhe natyrisht përgjigjem në çdo pyetje dhe dilemë të tyre – që janë të lidhura me dilemat e qytetarëve të Kosovës. Në konferencën e djeshme u krijua një keqkuptim gjatë bashkëbisedimit që kisha me gazetarin e “Kohes Ditore”, Fitim Gashi.

Unë i kërkoj falje Fitimit dhe të gjithë atyre që kanë mundur të ndihen të fyer gjatë kësaj konference për shtyp, por ky nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë qëllimi im. Në rrugëtimin tim prej dy dekadave në politikë gjithmonë kam ruajtur respektin për punën e gazetarëve, si një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë. Unë inkurajoj të gjithë gazetarët që mos të ndalen të zhurmojnë, të pyesin, të ngritin dilema për të gjitha temat që janë të interesit nacional.