Nesër është “e hëna blu”, pse kjo ditë është më e pazakonta e vitit

21 janari njihet si “dita blu” dhe është një ditë e pazakontë e Janarit në veçanti, por edhe e gjithë vitit.

“E hëna blu” supozohet se është dita më monotone, më e mërzitshme dhe më e mjerueshme e vitit.

Sipas formulës, “e hëna blu” bie në të hënën e tretë pas Vitit të Ri. Këtë vit, “e hëna blu” është kjo e 21 janarit.

Formula merr parasysh variable të ndryshme, si për shembull kushtet e motit, borxhet, kalimin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, si dhe nivelet përgjithësisht të ulëta të motivimit.

Ditët bëhen më të shkurtra e më të errëta, ndërsa zgjimi më i hershëm. Energjia nis e mungon, por të gjitha këto janë të kapërcyeshme.

Studiuesit pranojnë se nuk ka asnjë të vërtetë shkencore tek “e hëna blu”, por sidoqoftë bëhet fjalë për një akumulim faktorësh të jashtëm, të ndryshëm, në janar, që lehtësisht prekin edhe humorin.