Nesër ”klasikja” ndaj Tiranës, klubi Vllaznia ka një thirrje të rëndësishme për tifozët

Vllaznia në basketboll për meshkuj vijon të jetë ende në lojë përsa i përket qëndrimit në Superligë. Kuqeblutë e koshit kanë edhe dy ndeshje për të zhvilluar deri në përfundim të kampionatit, ndaj Tiranës dhe Partizanit. Mjafton që ekipi i Plantak të fitojë ndaj këtyre dy skuadrave dhe Kamza të humbë dy sfidat e saj në transfertë, ndaj Teutës dhe Goga Basket, dy ekipe që pretendojnë titullin kampion.

Sfidën e parafundit të këtij sezoni, Vllaznia e luan nesër përballë Tiranës. Takimi luhet në ora 19:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës. Një sfidë e vështirë për kuqeblutë, por që do të kërkojnë vetëm fitoren. Një gjë e tillë shprehet edhe në faqen zyrtare të klubit shkodran.

“Matematikisht jemi akoma në garë për të siguruar qëndrimin në Superligë. Prandaj, do të vijojmë të ‘luftojmë’ edhe në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, ndaj Tiranës dhe Partizanit. Pikërisht nesër në ora 19:00 presim në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Tiranës. Një përballje e vështirë, por synimi është vetëm fitorja.
Ftojmë tifozerinë shkodrane të jetë sa më e shumtë në këtë përballje të fundit në shtëpi per këtë edicion. Me ju jemi më të fortë, prandaj besojmë se me mbështetjen tuaj të zjarrtë do ia dalim të fitojmë ndaj Tiranës dhe të shpresojmë deri në fund tek mbijetesa. #ForcaVllaznia” – shkruhet në faqen zyrtare në “facebook” të klubit të basketbollit Vllaznia. /ShkodraNews

Lexo edhe: