Nesër mbyllet kampionati, festë në Shkodër, ndërsa në Shënkoll…

Nesër luhen sfidat e fundit të kampionatit të Kategorisë së Parë. Të gjitha takimet luhen në ora 16:00. Në Shkodër, Vllaznia pret Erzenin, ndërkohë edhe Shënkolli pret në shtëpi Veleçikun.

Në sfidën e parë, në “Loro Boriçi”, luhet një ndeshje sa për të respektuar kampionatin. Ndeshja nuk ka vlerë, pasi Vllaznia është shpallur fituese e grupit A dhe rikthehet në Superiore, ndërsa Erzeni do të luajë në të parën edhe në edicionin e ardhshëm.

Dita e nesërme do të jetë festë për kuqeblutë që do marrin kupën e këtij grupi. Ndërkohë, krejt e kundërta do të jetë në Shënkoll, aty ku luan Veleçiku.

Në një fushë të vështirë si ajo e Shënkollit, Veleçikut i mjafton edhe një barazim për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Por për të marrë atë pikë nuk do jetë aspak e lehtë dhe një gjë të tillë e ka pranuar edhe trajneri Besnik Duli. /ShkodraNews