Nesër policia do t’ju bëjë zbor, ja për çfarë duhet të merrni masat…

Disa akse rrugore në vend do të bllokohen nga policia dhe sikurse denoncuar përfaqësues të opozitës, po bëhen për të ndaluar protestuesit. Për ata që do të nisen nga jugu, policia u thotë se për të mbërritur në Tiranë duhet ti bien nga Elbasani.

Policia Rrugore njofton se në rrugën interurbane Tiranë-Durrës do të bllokohet për shkak të punimeve në këtë segment. Policia ju sugjeron drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë nga Tirana drejt Jugut, kryesisht drejt Lushnjës, Beratit, Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe zonave të tjera, të zgjedhin si variant alternativ kalim nga Rruga e Elbasanit drejt Tunelit – Elbasan-Peqin Rrogozhinë-Jug. Po ashtu edhe ata që vijnë nga këto qytete në drejtim të Tiranës mund të zgjedhin po këtë itinerar.

NJOFTIM I POLICISË RRUGORE PËR SHMANGIEN E TRAFIKUT

Për shkak të punimeve në rrugën interurbane kryesore Tiranë-Durrës (autostrada), shërbimi i Policisë Rrugore, nisur nga kryerja e punimeve, iu sugjeron drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë nga Tirana drejt Jugut, kryesisht drejt Lushnjës, Beratit, Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe zonave të tjera, për të mos u vonuar mund të zgjedhin si variant alternativ kalim nga Rruga e Elbasanit drejt Tunelit – Elbasan-Peqin Rrogozhinë-Jug.

Gjithashtu edhe drejtuesit e mjeteve që kthehen në Tiranë nga këto zona, për t’u kthyer më shpejt dhe për të evituar ngarkesën dhe vonesat drejt Tiranës mund të ndjekin këtë itinerar. Në autostradë po vazhdojnë punimet nga kontraktori, ndërkohë që ka prezencë të shtuar të Policisë Rrugore. Shërbimi i Policisë Rrugore kërkon mirëkuptimin që të respektohet në maksimum sistemi i sinjalizimit vertikal dhe horizontal i përkohshëm në këtë segment rrugor, me synim evitimin e bllokimeve dhe të aksidenteve të mundshme.

Më herët Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin, se kjo është një tentativë për të ndaluar qytetarët që të marrin pjesë në protestë dhe se Rama e ka ndërmarrë këtë aksion, pasi i trembet protestës. PD u bëri thirrje kompanive ndërtuese, që të mos vendosin makineri në këto rrugë.