Nga aktori i humorit, te ish-gardisti i 21 Janarit dhe kushëriri i Nanos, kë ka zgjedhur Rama për 30 qershor

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, Partia Socialiste ka zyrtarizuar kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit.

Do jenë 5 deputetë të shumicës që do të lënë Kuvendin e Shqipërisë për të kandiduar për pushtetin lokal në Gjirokastër, Lezhë, Përrenjas, Kamëz dhe në Pogradec.

Por kush janë veçoritë e kandidatëve të PS-së?

Rekordin vijon që ta mbajë Gëzim Topçiu në Maliq që kërkon një mandat të gjashtë në drejtim të pushtetit vendor, më pas vjen Adriatik Zotkaj që kërkon mandatin e pestë në Poliçan dhe Tërmet Peçi në Tepelenë të tretin.

Në Kolonjë socialistët kanë zgjedhur që të kandidojë Erjon Isain, ish-aktori i ‘Portokallisë’ dhe aktualisht drejtori i Teatrit të Kukullave. Në Dibër pas shumë debatesh u vendos ish-drejtori i Tatimeve Dionis Imeraj i akuzuar nga PD-ja për blerje votash në 2017, ndërsa në Mat, Agron Malaj ish-gardist i 21 Janarit, aktualisht drejtor i OSHEE-së.

Një tjetër emër që spikat është kandidati i Kavajës Redi Kraja, i cili është kushëri i ish-kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Fatos Nano.