Nga sherri me efektivët, letra “të fala babait” e deri te djegia e makinave, ja çfarë ndodh për shkak të trafikut



Jeta në trafikun e Tiranës, vështirësia për të gjetur një vend parkimi janë kthyer në burim ankthi dhe nervash. Këto të fundit prodhojnë mosmarrëveshje aq sa kërkohen ndihma e policisë, ose për të shuar gjakrat ose për të zbuluar autorët.



Konfliktet për automjetet  kryesisht për parkimin e tyre janë kthyer në sherret më tipike në Tiranë pohon për gazetën Si një zyrtar i rendit, sipas të cilit shpesh qytetarët i nxjerrin nervat te makina e parkuar keq, apo në raste mos hapje krahu ata godasin shoferin e pabindur. Por ka raste që dalin jashtë kontrollit dhe kur qytetari shpërthen edhe ndaj policit. I tillë është kallëzimi që u krye nga një efektiv policie që u ankua në komisariatin numër katër ku dhe ai shërben, pasi një qytetar jo vetëm nuk ju bind, por edhe i rrezikoi atij jetën. Qytetari për të cilin regjistrohet ankesa ka inicialet F. B , 35 vjeç dhe ndaj tij denoncimi u regjistrua për mosbindje të policisë thanë burime të gazetës Si.



Policia deklaron për gazetën Si se “35-vjeçari nuk ju bind oficerit E. Xh që i kërkoi të fikte mjetin, pasi ai kishte qëndruar në një vend të papërshtatshëm dhe për këtë agjentët i kërkuan të dhënat për të marrë masë administrative”.

Por çfarë pretendon qytetari, nervat e të cilit ranë kur ai u dërgua në komisariat?

F. B shpjegon stresin që haset kur duhet të presësh dike, por që nuk ke se ku qëndron.

“E ndalova makinën në anë të rrugës për të pritur gruan, e cila po tërhiqte lekë në bankomatin që gjendet sapo kalon IKV. Në atë moment erdhi një punonjës policie dhe më kërkoi që të lëviz prej aty se po bllokoja trafikun dhe ju përgjigja: sa të vijë bashkëshortja. Polici më tha lëviz tani se do marrësh masë, por iu përgjigja: nëse u vendos edhe makinave të tjera dakord”.

Sipas të dhënave të policisë në këtë debat “lëviz, nuk lëviz” efektivi i policisë i ka dalë përpara automjetit dhe ka kërkuar që shoferi të fikë makinën, urdhër të cilit 35-vjeçari i është bindur, sapo ka parë që makina e tij është rrethuar edhe nga policë të tjerë. Por shoferi pretendon se nervat e tij ishin me mungesën e një xhepi ku ai të qëndronte me bllokazh derisa partnerja për pesë minuta të tërhiqte një shumë lekësh.

Çfarë thotë policia?

Por policët pretendojnë se shoferi i sfidoi duke u treguar atyre që ta bënin punën sa më mirë, duke qenë se në krahun e bankomatit gjendej edhe një mjet tjetër me bllokazh duke pritur.

“Zotëria kërkoi pesë minuta kohë sa t’i vinte nusja. Por u bë pengesë për trafikun. Kur mori vesh për masën administrative u nxeh dhe tha që do i jepte gaz makinës. Zotëria bëri manovra të mjetit para mbrapa për t’u larguar edhe pse ne i bëmë thirrje të fikte automjetin. Ai nuk iu bind urdhrit, por lëvizi deri në kryqëzim ku edhe e ndaloi kolegu tjetër në detyrë, ai na rrezikoi jetën të dyve”, tha polici.

Sipas procesverbalit drejtuesi i mjetit derisa u bllokua nga policia u bë shkak të përkeqësonte lëvizjen e lirë të automjeteve. Policia pranon se në vazhdën e veprimeve për tu bindur që nervat e drejtuesit të mjetit nuk ishin shkaktuar vetëm nga vështirësia për të gjetur një vendqëndrimi, i ka bërë atij edhe testin e alkoolit. Testi ka treguar që 35-vjeçari nuk kishte kthyer asnjë gotë alkool atë ditë, pasi drageri tregoi masën 00 miligramë alkool.

Dëshmia e oficerit mbështetet edhe nga kolegu tjetër që riprodhoi diskutimin polic – shofer, teksa njëri lutej të zhbllokohej trafiku dhe tjetri justifikohej se nuk kishte ku ta mbante makinën.

Të fala yt ati

Por dy të rinj që ishin bashkëpunëtorë dhe kolegë në një vend pune, i kanë shfryrë nervat tek makina e shokut, të paktën ky është pretendimi i tij në polici. E. D. pretendon se dikush i dëmtoi automjetin dhe madje në xham i la një pusullë në të cilën shkruhej “shnet e të fala yt ati”. I riu pretendon se automjeti i tij mercedez benz, ishte parkuar pranë një restoranti në lagjen ku ai banon. Por sipas tij shtetasi me inicialet E.H ia dëmtoi në krahun e djathtë për shkaqe konkurrence, duke mos i lënë shteg policisë që të dyshojë që shkatërrimi i makinës të ketë ndodhur për shkaqe të tjera.

Djegie makine

Ne morëm njoftim raporton policia se në lagjen Babë Rexha po digjej një makinë që rezultoi në pronësi të shtetasit K.M.

Më pas kur efektivët thirrën për të pyetur  pronarit që kishte letrat e makinës së djegur me inicialet E.M, ai radhiti të gjitha konfliktet dhe dyshimet e tij mes tyre edhe sherrin që kishte pasur me komshiun, pikërisht për vendin ku ai kishte parkuar mjetin tip benz me targat a…T

Por qytetari emri i të cilit përmendet si i dyshuar sapo u pyet në polici shfajësohet: “Mjeti u dogj para portës sime dhe di që i përket E. M. Por dua të tregoj dhe të ankohem se veç makinës mua mu dëmtua porta dhe u dogj. Vlera e portës është mbi 150 mijë lekë. Ditën që ka rënë zjarri unë nuk isha fare në shtëpi, pasi jetoj në një shtëpi tjetër me qira së bashku me partneren. Dua ta trajtoj në rrugë ligjore këtë problem, pasi më është shkatërruar porta nga shpërthimi i makinës”.