Nipi i tij Endri punon me Edi Ramën, por Artan Fuga bëri sot deklaratën e papritur

Profesori i njohur i Universitetit të Tiranës, Artan Fuga teksa ishte në emisionin “I Ftuari” ndër të tjera edhe për mënyrën e komunikimit të Kryeministrit Rama.

“Herë-herë dinake, here-herë e zgjuar, herë-herë mjeshtërore, herë-herë e gabuar dhe e dështuar”, e vlerësoi profesori.

Por drejtori i Komunikimit është pikërisht nipi i Artan Fugës, Endri. Profesori shprehet se kurrë nuk ka biseduar për punë me të. Madje ai thotë nuk e di çfarë pune bën.

“Unë nuk e di. Nuk e di çfarë pune bën dhe nuk kam biseduar kurrë për këtë dhe këtë ua them sinqerisht. Unë vij nga një familje ku prindërit e mi ishin anëtarë partie, komunist dhe gjyshërit e mi ishin në burg si armiq të popullit dhe këtë kushdo mund ta verifikojë. Unë kam pasur xhaxhin të internuar, gjysmën e fisit nuk i kam njohur pasi kanë qenë të internuar. Erdhi ’90-ta dhe ne kemi marrëdhënie njerëzore. Familja nuk është një vend i politikës. Sot kjo Shqipëri është e qëndrueshme, por është familja që i mban”, u shpreh profesor Fuga.