Nisin ethet për socialistët e Shkodrës, metropoli verior në panik, ja pse po i paralajmëron Rama

Socialistët gjenden në vështirësi për shkak se rrezikojnë që një nga emrat më të përfolur për t’iu besuar kandidimi për bashkinë e Shkodrës po refuzon ta pranojë ofertën e kryeministrit Edi Rama. Jashtë çdo parashikimi ata po shqyrtojnë edhe alternativa të tjera, por emri më i lakuar i javëve të fundit, po i reziston tundimit për të garuar, kjo jo vetëm nga frika e humbjes, por edhe nga pasiguria e krijuar për shkak të përçarjeve të brendshme që ka PS e Shkodrës, qoftë nga deputetet dhe anëtarësia.

Aktualisht 3 emra janë të përfolur për këtë post, Astrit Beci, Senida Mesi dhe Genc Berhani. I pari synon që të garojë për postin e rëndësishëm të Agjencisë së Shëndeti Publik, një strukture e re kjo pas reformës që ka nisur ministria e shëndetësisë. E dyta, Senida Mesi ish zv/kryeministrja po përjeton momentet më të papërshtatshme politike për shkak të përplasjeve të forta që ka me deputetet e listës së Shkodrës dhe një pjesë të madhe të anëtarësisë. Armiqësi që e nisi kur mbante postin e lartë të numrit dy të qeverisë, që Mesi mendoi se e kishte marrë në patronazh të përjetshëm, e kostot e të cilit po i paguan sot kur ka mbetur thjesht një deputete dhe asgjë më shumë.

Ndërsa i treti, i vendosur në pozicionin e drejtorit të hipotekës, e ka të vështirë të marrë mbi supe një sfidë të tillë kaq të madhe, në një kohë që Shkodra mbetet një bashki sa e vështirë, aq edhe e fortë politikisht. Të gjendur përballë kësaj situate, socialistet po përjetojnë momente aspak të qeta, aq më shumë kur ndodhen në prag të një tjetër reformimi të brendshëm, ajo për ndryshimet e drejtuesve të drejtorive rajonale, por edhe të përzgjedhjes së grupeve të punës për fushatën elektorale të 30 qershorit 2019.

Emrat në lojë që po përfliten për drejtues të ri mbeten një tjetër pikëpyetje e madhe, e duket se situata nga dita në ditë do të vijë duke e vështirësuar edhe më shumë, kur përballë rivalët politik kanë nisur stinën e protestave dhe duket se e kanë të gatshëm emrin politik që do të sfidojë për një mandat tjetër 4 vjeçar që demokratët kërkojnë për bashkinë më të madhe në veri të vendit. Ethet sa vijnë dhe shtohen prandaj për të normalizuar gjendjen e krijuar pritet që në metropolin verior të mbërrijë në një takim me strukturat, vetë kryeministri Edi Rama, bëjnë me dije burime nga selia rozë./ShkodraNews