“Një pjesë e dyshemesë u përpi nga toka, thasët me dhe nxirreshin te dyqani i luleve”, të pathënat nga arratisja e të tmerrshmit Gaxhai

Nga arratisja e Admir Tafilit nga burgu i Drenovës e deri tek thyerja e sigurisë së burgut të Burrelit, janë vetëm disa nga ngjarjet më rënda të ndodhura vitet e fundit.

Por padyshim, më spektakolari do të mbetet tentativa e arratijes së Gazmend Brakës, i njohur me nofkën Gaxhai dhe i konsideruar si i forti i Vlorës. Top Story përveç se pasqyroj kushtet në burgje u ndal dhe tek siguria e tyre.

NGJARJA

E gjithë ngjarja ka ndodhur në qendër të Tiranës, në burgun 302, në vitin 2005. Ish Drejtori i Policisë së asaj kohe, Petrit Ismaili, rrëfen momentin kur zbuluan një tunel nëntokësor.

“Si ngjarje mund të jetë një ngjarje më e sofisfikuar në historinë e arratisjes nga burgu shqiptarë, qoftë nga mënyra e organizimit, qoftë nga investimi. Dhe periudha e gjetur nga personat e interesuar për arratisjen ka qenë ideale, pasi në burg kryheshin punime, biles atë ditë në mëngjes është futur dhe një traktor me zingjirë, dhe kjo sigurisht ishte në favor të personave për arratisje”, tha Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

Ngjarja ishte e paprecedentë, dhe policët e burgut ranë në gjurmët e tunelit krejt rastësisht, pasi një pjesë e dyshemesë u përpi nga toka.

“Kishin humbur orientim në lartësi, dhe kishin dal poshtë shtresës së betonit, u konstatua një e çarë nga policët, ne dyshuam se mos traktori që kaloj ka krijuar plasaritje në asfalt, pam një llampë të ndezur”, rrëfen Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

Për hapjen e tunelit ishte punuar prej disa ditësh, dhe niste nga dyqani i luleve e deri tek dhoma familjare e pritjeve. Teknika e punimeve ishte njësoj sikur te hapej një tunel miniere, me trarë dhe tuba ajrimi.

“Tuneli nga ana e dyqanit, kishte filluar me zbritje vertikale, 10-12 metra, pastaj kishte filluar horizontale, në thellsi ka përdorur matrapik të vogël”, tha Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

I gjithë maskimi ishte një dyqan lulesh, që prej disa kohësh kishte trullosur edhe sigurinë e burgut 302. Lulet përdoreshin si maskim për të nxjerrë thasët me dhe. Një plan gati-gati i përsosur arratisje.

“Na bënte përshtypje se nuk shiteshin lulet”, tha Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

Ish drejtori i Burgut 302, tregon se për këtë ngjarje nuk u arrestua asnjë, sepse autorët kishin humbur gjurmët.

“Nuk është arrestuar asnjë nga të zotët e dyqanit të luleve, ata kishin bërë parapërgatitje, ai që kishte dyqanin, ishte anonim që e mbante me qera”, tha Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

Pas këtij incidenti të ndodhur, Gaxhai u transferua në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel.