Njërën e kapi ngërçi, tjetrën e zuri gjumi në dyshek me ajër, vrojtuesit e plazhit tregojnë si i shpëtuan dy femra

Jeta është e shenjtë, por sic i thonë një shprehjeje, kur e ke nuk ia di vlerën, e mëson kur të ikën.

E kështu, jo të gjithë tregojnë kujdes për jetën në plazh, pavarësisht rrezikut që dihet.

Historitë e shpëtimit të jetëve në det nuk mungojnë edhe pse vrojtuesit e plazhit nuk janë të shumtë në numër në brigjet tona.

Vrojtuesit nga eksperienca e tyre u bëjnë thirrje plazhistëve të kenë kujdes, pasi e keqja siç thotë populli ndodh sa hap e mbyll sytë.

Në një vijë prej 2 kilometrash në Vlorë, 3 vrojtues ndajnë historitë e tyre. Kledion Çeloaliaj tregon për rastin e fundit që ka shpëtuar.

“E kapi ngërci në ujë dhe po kërkonte ndihmë, e pashë situatën, i rashë bilbilit tre herë dhe bazhdova drejt gruas, e tërhoqa deri në breg dhe e stabilizuam në një shezllon sa e lëshoi ngërci”.

Antonio Latifaj punon vetëm prej një muaji dhe i rastisi të shpëtojë një vajzë, të cilën e kishte zënë gjumi në dyshek më ajër dhe kur është zgjuar larg nga bregu e zuri paniku.

“Shkova me bejuocin e solla drejt bregut dhe ishte në gjendje paniku”.

Një tjetër vëzhgues plazhi, Arjan Haxhiraj tregon si ka shpëtuar një të moshuar në det me dallgë.

“Para 20 ditësh bëri një ciklon dhe një i moshuar u rrëzua në buzë të detit, e qetësuam me ndihmën e parë dhe më pas erdhi edhe ambulanca”.