Njihuni me lojtaren shkodrane që stërvitet me djemtë

Megi Doçin e njohin të gjithë në Shkodër, por edhe më gjërë përsa i përket futbollit shqiptar të femrave. Sulmuesja shkodrane u zgjodh si futbollistja e vitit 2018 nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndërsa në vitin që lamë pas u shpall edhe si golashënuesja më e mirë në Botë, me 84 gola. Mbrëmë ka qenë e ftuar në emisionin “Fair Play” ku tregoi se për tu bërë më e fortë ka zgjedhur të stërvitet me skuadrën e Shkëndijës u-17 të djemve.

“Aktualisht jam në shkollë dhe nuk kam mundësi që të udhëtoj drejt Shkodrës për t’u stërvitur. Kështu, kam zgjedhur të stërvitem me skuadrën e djemve, U-17 të Shkëndijës. Provoj veten dhe më bën më të fortë për të sfiduar kundërshtarë të një rangu të lartë. Ajo që i mungon futbollit të femrave është reklama. Në Shkodër e kemi mbështjen e mediave, por duhet që ta kemi edhe këtu, në Tiranë.” – tha fillimisht Doçi.

Më pas ajo flet për kampionatin shqiptar dhe ka një urim për Vllazninë. “Kam vënë re që nga vitet e tjera është bërë një kampionat më i fortë. Mund të them se për fitimin e kampionatit shkon mes Partizanit, Kukësit dhe Teutës. Vllaznia po bën mirë në Kategorinë e Parë, dhe shpresojmë që të rikthehemi aty ku i takon.” /ShkodraNews