Nuk i ndahet lojrave të pista. Voltana kërkon të ndërtojë kënde lojrash në lulishtet që ja rrënoi qytetit.

Zgjohet Voltana Ademi! Kryetarja e bashkisë Shkoder ka hyrë në muajt e fundit të mandatit dhe kujtohet që qyteti të cilin prej 3 vitesh e gjysëm “administron”, vuan mungesën e këndeve të lojrave në lulishtet dhe parqet e qytetit.

Paradoksalisht ta mendosh një fakt të tillë, e jo më ta shprehësh e zeza mbi të bardhë në dokumenta zyrtare. E ndërsa tik – taket kanë nisur të numërohen mbrapsht për Ademin, kjo e fundit nuk ka vonuar të nisë lojrat hileqare që ja siguron mandati edhe për këto muaj. Ajo ka hapur tenderin me vlerë 1 milion e 290 mijë lekë, për “Rehabilitimin dhe ndërtimin e kendeve të lojrave në parqet dhe lulishtet e qytetit të Shkodres”.

Me këtë fasadë ajo nuk do të bëjë asgjë më shumë, por të tregojë se gjoja përkujdeset për më të vegjlit e qytetit dhe ndaj familjeve të tyre, që mendojnë ku ti argëtojnë fëmijet. Por Ademi harron se askush nuk e ka kujtesen e shkurtër dhe mjafton t’i bësh një rezyme asaj cfarë është punuar në këto 3 vite në këtë drejtim, për të kuptuar se të gjithë këtë hap po e hedh për fushatë.

Nëse vërtetë kryebashkiakja do të ishte e shqetësuar për fëmijët e qytetit dhe mungesën e këndeve të lojrave, do të kishte nisur që në vitin e parë të mandatit të hidhte gur nga një gur ndërtimin e tyre, e sot të vegjlit do ti kishin këto hapësira. Sikur të mos mjaftonte kjo, mjafton një vëzhgim në ato pak lulishte që ka Shkodra, për të parë gjendjen ku janë katandisur dhe sa shumë i bëjnë përshtypje, apo shqetësohet Voltana Ademi.

E ka përpara syve shatërvanin e qytetit, i cili i ngjan një banjoje të madhe publike, ku pllakat i janë thyer, stolat dhe ndricuesit i janë dëmtuar dhe mbeturinat e rrethojnë si një dekor i shëmtuar.

Mjafton vetëm të dalë në dritaren e zyrës e ta shohë, nuk ka nevojë as të zbresë shkallët për ta inspektuar në gjendjen ku është katandisur, e sot pafytyrsisht deklaron se do të hedhë para për këndë lojrash. Së pari të rregullojë këto mjedise, të lirojë ato që janë zaptuar, e të shtojë gjelbërimin që në raport me numrin e popullsise lë për të dëshiruar, e pastaj të merret me fasadat dhe “lojrat” e pista politike që i nxjerrin fytyrën e vërtetë!