“Nuk më la shije të keqe…” Mustafa Nano bën rrëfimin e rrallë për Jozefina Topallin

Ai është një nga analistët më kontrovers në Shqipëri.

E jo vetëm në mendime politike, por edhe në jetën apo stilin e tij.

Analisti Mustafa Nano ka treguar së fundi emocionet e disa takimeve të veçanta për të.

Bëhet fjalë për takimet me ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Në një shkrim, Nano rrëfen përshtypjet e para me këtë femër që ai e cilëson ‘të hijshme’.

Gjithsesi analisti tregon se Topalli nuk është nga ato femra që do ta bënin Nanon të çmendej pas saj, sepse ish-kryeparlamentarja ka një hije prej heroine.

Shkrimi i plotë i Mustafa Nanos

Jozefina Topallit ia kam dhënë dorën për herë të parë në fillim të viteve 2000, në ambasadën amerikane. Ishim të ftuar atje për një darkë me rastin e vizitës në Tiranë të një zyrtari të lartë të Uashingtonit dhe tok me ne ka qenë, nëse kujtesa nuk më bën prapësira, edhe Ilir Meta e Ben Blushi. Por nuk më ka mbetur ndonjë gjë kushedi se çfarë në mendje prej atij takimi, ndonëse nuk më la shije të keqe. Ishte e ndrojtur dhe shumë e kujdesshme. Bënte ndërhyrje të rralla, veç kur i bëhej ndonjë pyetje, me një anglishte të thjeshtë e të saktë.

Emrin e Jozefina Topallit ma kishin zënë veshët më herët, në pikun e krizës së vitit 1997. Dhe ai emër (nuk kishte ndodhur më parë që një Jozefinë të bëhej personazh me rëndësi publike në Shqipëri), i ndihmuar edhe nga pamja e saj, nuk më la indiferent. Pata për shoqërim idesh – gjë e kuptueshme kjo për të gjithë robtë e brezit tim – këngën e famshme të Chris Rea-s, të cilën ky i fundit ia kushtonte një vajze me emrin Josephine, që “natën ia bënte ditë”. Më ishte pak e vështirë ta mbaja e duroja këtë shoqërim idesh teksa e shihja Jozefinën prore nursëze e të vrazhdë. Por çfarë “humbiste” prej këtij tipari, ajo “e fitonte” me hijeshinë e vet. Jozefina ishte e hijshme. Dhe vijon të jetë e tillë. “Inatin mbaja, por hakun jepja”, thonë nga anët e mia.

Dhe hakun ca më shumë mund t’ia jepja unë që veç inat nuk kisha për t’i mbajtur, s’ka gjë se ajo nuk është tipi i gruas, pas së cilës mund të marrosesha. Ka një tipar që do të ma ftohte dëshirën për t’iu vardisur. Ka diçka si heroike në qenien e saj. Dhe për rrjedhojë, më sillet si diçka jo fort mendjehapur. Sepse heronjtë, dihet kjo, nuk janë mendjehapur.

Nuk gjen njerëz më pak mendjehapur sesa heronjtë. Është edhe për këtë arsye që heronjtë i kam gati zët. Unë për ca kohë kam menduar se Jozefinës ia donte puna të shfaqej e tillë, por pastaj zbulova se ajo shfaqej ashtu si ishte. Ajo është një nga pak personazhet politike që nuk mban maskë. Jozefina që doni të njihni është Jozefina që keni njohur. Mos u mundoni të zbuloni tek ajo një Jozefinë tjetër. E keni pëlqyer? Ok. S’e keni pëlqyer? Ok. Muhabeti quhet i mbyllur.

Për herë të fundit e kam takuar para nja dy vitesh, në përurimin e një romani të Flutura Açkës. Në atë rast mua m’u desh t’i bëja një intervistë Fluturës në prani të të tjerëve, të cilët, siç mund të merret me mend, ishin në shumicë të djathtë. E të shumtët e të shumtëve ishin berishianë. Kishte mes këtyre të fundit edhe berishianë me nam. Siç ishte edhe Jozefina për shembull. Dhe dihet tanimë: berishianët mua nuk më durojnë dot. Edhe unë nuk i duroj dot, ç’është e vërteta. Lëri të tjerat, por janë pjesa më bigote e Shqipërisë.

Ti mund të jesh armiku më i madh i armikut të tyre, por kjo gjë nuk i kënaq ata. Nëse je kundër Berishës, ata nuk ta falin. Dhe mua nuk ma kanë falur kurrë. Më quajnë armik të tyrin. Por edhe unë nuk ua fal. Nuk ua fal së pari që janë berishianë (si mund të jetë berishian njeriu? Ka më shumë kuptim të jesh toskë nga Gjakova), dhe së dyti që nuk ta falin nëse nuk je berishian (kjo është edhe më e pakuptueshme).