“Nuk na dha kurrë mundësi sqarimi”, Shota e Haklajve sfidon Berishën

Zylfie Haklaj ka folur edhe një herë për rastin e Sali Berishës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Zylfia ose e quajtur ndryshe “Shota e Haklajve”, ka shprehur gatishmërinë për t’u përballur në një studio televizive me Berishën.

Ajo thotë se ish-kryeministri nuk i dha kurrë një mundësi sqarimi. Zylfia kërkon që edhe Berisha ta mësojë, nga kush u përdor kundër familjes së saj.

Reagimi i plotë:

Jam e gatshme nga ky moment në cilëndo studio televizive të përballem me Berishën. Nëse dëshiron le ta zgjedhë vetë studion televizive. Meqënëse Sali Berisha kurrë nuk na dha një mundësi sqarimi ose arsyetimi familjes tonë, i kërkoj debat televiziv ku të gjithë ata që janë të interesuar do ta mësojnë të vërtetën e rrjedhës së ngjarjeve deri në ditët e sotme në mes të familjes tonë dhe Sali Berishës. Dua që dhe vetë Berisha të mësojë, meqënëse kurrë nuk e diti të vërtetën nga kush u përdor kundër familjes tonë.
Tashmë Berisha gjendet mes dy zjarreve. Nga njëra anë është Zylfie Haklaj që kërkon një përballje me të. Ndërkohë nga ana tjetër është ish-truproja e tij, Izet Haxhia, i cili ka kërkuar hapjen e dosjes Hajdari.

Haxhia akuzon Berishën, se ka nxjerrë në pritë Hajdarin. Radhën për të lëvizur tashmë e ka Berisha, pasi topi është në fushën e tij. Duhet të presim e të shohim, nëse Berisha do të pranojë përballjen me Zylfie Haklajn.