Nuk ndalen ekipet e Akademisë Vllaznia

Ekipet e Akademisë Vllaznia kanë arritur fitoret e radhës në takimet e zhvilluara paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”. E para që ka zbritur në fushë ka qenë Vllaznia U-17 që ka pasur përballë Internacional Tirana. Kuqeblutë e drejtuar nga Brikeno Bizi fituan pastër 2 – 0. Sfida u zhbllokua në minutën e 9-të ku Muliu shënoi golin e parë.

Në të dytën, Pepaj shënoi të dytin për 17-vjeçarët shkodranë. Me këtë fitore, Vllaznia U-17 ngjitet në kuotën e 35 pikëve në vendin e katërt. Në krahun tjetër, edhe Vllaznia U-19 ka arritur një fitore. Kuqeblutë e Zmijanit triumfuan 2 – 1 ndaj Partizanit.

Të tre golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e parë. Fillimisht shënoi Lekaj për kuqeblutë, por më pas barazoi Çela për të kuqtë e kryeqytetit. Ndërkohë, pak para përfundimit të pjesës së parë, Ndreca do shënonte golin e dytë për Vllazninë U-19. Një fitore që mban në krye ekipin e Vllaznisë që ka 2 pikë më shumë se Shkëndija e Tiranës e vendit të dytë. /ShkodraNews