Nxënësit po ikin/ Një tjetër shkollë mbyll dyert në Qarkun Shkodër, priten edhe 3 të tjera

Fenomeni i braktisjes së shkollave në vendin tonë është i njohur. Por vitet e fundit ai ka marrë përmasa të fr.iksh.me edhe për shkak se numri i familjeve që largohen nga Shqipëria është rritur me shifra galopante. Tashmë zona të tëra në vend po përjetojnë tkurrje të popullsisë që ka sjellë uljen e numrit të banorëve, e në disa raste fshatra të tërë kanë mbetur pa njeri. Në qarkun e Shkodres numri i nxënësve është përgjysmuar, madje edhe në qytet shkollat numërojnë thuajse gjysmën e numrit të fëmijeve që kishin 5 vite më parë. Si në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme ka klasa që nuk i kalojnë 10 nxënës, e për të folur për 40 apo 50 nxënës në një klasë si deri përpara pak vitesh, është një luks, apo sic e shprehin vetë mesuesit, realitet i së shkuarës. Këtë vit të ri e nisi me kyçje përfundimtare të dyerve një tjetër shkollë në qark, pikërisht ajo e Vukpalajve në Malësi të Madhe, e cila nxënësit e fundit që nuk kapnin as shifrën e gishtave të dorës, i përcolli në një tjetër shkollë. Vendimi i zyrës arsimore të Malësisë së Madhe u mor në konsultim me drejtorinë rajonale arsimore në Lezhë, ku për shkak të numrit të pakët të nxënësve dhe kostos së lartë të mirëmbajtjes së godinës, apo dërgimit të mësuesve, u vendos që ajo të mbyllej e nxënësit e mësuesit të shpërnguleshin diku tjetër. Këtë fat të paktën do ta kenë sipas raportimeve të deritanishme edhe dy shkolla të tjera në këtë rreth, që janë lejuar të mbyllin edhe këtë vit shkollor me atë numër të ulët nxënësish që kanë. Gjithashtu edhe në rrethinat e Shkodres pritet që vitin e ri shkollor 2020 – 2021, për shkak të numrit të ulët të nxënësve të rrezikojnë mbylljen 3 shkolla. Në Pukë e Fushë Arrëz është i njëjti realitet, ku bankat nuk kanë më nxënës, e mësuesit nëse nuk ndërmerret një riorganizim i ri, do të mbesin të papunë. Për fenomenin në fjalë mbetet domosdoshmëri një studim i thelluar i ministrisë së arsimit pasi në të kundërt kriza që ka prekur arsimin mund të marrë përmasa të frikshme e me pasoja më të renda.