OSBE dënon paketën “putiniste” të Ramës për portalet: AMA nuk mund të vendosë gjoba

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, sot publikoi një shqyrtim ligjor të Projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri, pas disa konsultimeve mbi procesin e hartimit me përfaqësuesit e Qeverisë në muajt e fundit.

Edhe pse përfaqësuesit e OSBE pranojnë se ka përmirësime të ndjeshme në projektligj krahasuar me draftin e parë të muajit janar, sërish ligji shkon përtej tagreve që mund të ketë të lejueshme AMA si autoritet kontrollues. Sipas OSBE, AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatën.

Désir mirëpriti faktin se sipas projektligjit, ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike nuk janë të detyruara të regjistrohen për të kryer aktivitetet e tyre. Megjithatë ai dënoi faktin se në projektligj parashikohet ndëshkimi me bllokim të botimit online nga AMA duke e quajtur këtë një masë ekstreme.

Përfaqësuesi theksoi: “Është e nevojshme që legjislacioni i ardhshëm të respektojë standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend”.

“Zyra ime ka qenë e përfshirë në një proces të gjatë konsultimi gjatë hartimit të këtij legjislacioni, e vlerësoj bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet që çuan në përmirësime të shumta. Megjithatë, ende nevojiten përmirësime të mëtejshme të ligjit”, tha Desir duke shprehur shpresën se kjo do të bëhet gjatë procesit parlamentar.

Ai theksoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audio-vizuale nuk duhet të jetë zëvendësim i gjyqësorit të pavarur apo mekanizmave të duhur vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.

Analiza ligjore thotë se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, dhe më gjerë i “ofruesve të shërbimeve elektronike të botimit” nuk duhet të jetë i njëjtë me atë të shërbimeve të mediave audiovizive. Rekomandohet që të përjashtohen nga fushëveprimi i këtij projektligji.

Përfaqësuesi kujtoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.

Përfaqësuesi vuri në dukje se kompetencat e AMA-s lidhur me “bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.