Ose është i çmendur, ose është i kapur



Kryeministri Rama e ka treguar në shumë raste gjatë karrierës e rrugëtimit të tij politik, që pa u bërë i pari i vendit madje, që nuk e ka për gajle që për interesat e tij, të bëjë “kurban” interesin e Shqipërisë.



Këtë ka bërë ky i fundit edhe këtë herë. Rrëzimi i dekretit të Presidentit Ilir Meta për rishikimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në Parlament është një akt që i jep shumë kosto të ardhmes evropiane të vendit.



Edhe pse ai dekret erdhi nga Meta, një tjetër figurë politike aspak afër interesave të shqiptarëve, përkundrazi, duhej respektuar për faktin se ai kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias. Debati nga politik kaloi në ligjor dhe duhej pritur për verdiktin final të një institucioni që është shumë mbi palët dhe do të japë një opinion objektiv.

Mazhoranca mund të ketë të drejtë në fund, por mosrespektimi i një procesi që do të hiqte çdo dyshim do të ishte shumë më korrekt, si politikisht, ashtu edhe në respekt të opinionit publik. Për më tepër, thirrjet që erdhën nga eurodeputetët e PPE nuk ishin të parëndësishme, ashtu siç ishte tejet e rëndësishme thirrja e Komisionerit të Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi, që Rama duhet të priste opnionin e “Venecias” përpara se të rivotonte Kodin e ri në Kuvend.

Rama nuk dëgjoi as Varhelyin, një nga figurat e BE-së që ka lobuar më fortë se të gjithë që Shqipërisë t’i hapet rruga Evropiane, derë të cilën me këtë veprim Rama duke se e ka mbyllur, të paktën për së afërmi, pasi me plotësimin e kushteve që ka ecur ngadalë dhe arrogancën e kryeministrit, nuk mund të kemi rezultat pozitiv.

Ajo çfarë duhet të bëjë shqiptarët të mendojnë është arsyeja se përse Rama mori përsipër t’I “hynte detit në këmbë” duke kundërshtuar edhe BE-në. Përpara zgjedhjeve dhe përpara një vendimi të tillë për negociatat, një kryeministër i përgjegjshëm do të kishte pritur, duke treguar kështu supremaci të të gjitha aspekteve, por Rama nuk e bëri këtë, madje i doli kundër me këmbënguljen e një të “çmenduri”, Oliver Varhelyit.

Ndoshta ka frikë nga zgjedhjet si thotë PD? Noshta është e vërtetë, por kjo sjellje duket më tepër sjellja e një njeriu që është në panikun e pengmarrjes. Me shumë gjasa, Rama është i kapur nga mafia e plehrave dhe oligarkët e PPP-ve. Ka për të larë shumë borxhe fushatash tek ata dhe janë ata që nuk duan ta lënë të bjerë nga pushteti, pasi e dinë që kryeministri është tepër “dorëdhënë” në marrëdhëniet financiare.

Megjithatë përtej çdo retorike, problemi më i madh është përparimi i penguar i Shqipërisë. Nëse është i çmendur apo i kapur, i takon shqiptarëve të gjykojnë, sa për Shqipërinë, negociatat shumë vështirë që të hapen edhe këtë herë… /Pamfleti