Pak para se të largohet, Voltana “hap thesin” me miliona

Ndërsa Shkodra vuan nga një mori problemesh dhe në këto 4 vite i kanë munguar investimet, të cilat kanë qene me pikatore, Voltana Ademi kujtohet në muajt e fundit të mbajtjes së postit të hapë thesin për të bërë gjoja sikur po punon. Ditët e fundit ka rikthyer ashtu si muaj më parë, por tashmë në zona të tjera dhe në qytet, tenderat miliona lekësh për rikonstruksion të rrugëve.

Gropat po përpijnë gomat e automjeteve dhe degradimi është i ndjeshëm, prandaj në këtë mes, për të patur mundësi fitimi, zgjidhjen Ademi e ka gjetur që në këtë periudhë kur askush nuk e kontrollon dhe vemendja është e shpërqëndruar për shkak të krizës politike, që të hedhe ca para për të riveshur rrugët me asfalt.

Janë jo pak por disa tendera të hapur paralelisht, ku qyteti është ndarë në dy faza, ku e para ka një fond prej 23 milion lekësh, ndërsa faza e dytë 26 milion lekë. Gjithashtu në njësitë administrative, ku fondi për Postribën është 23 milion leke dhe për Rrethinat 4.7. Natyrshëm kuptohet që këto nuk janë asgjë më shumë veçse veshje fasade, apo thënë ndryshe asfalt elektoral, që Ademit i shërben për ti hedhur hi syve të shkodraneve, e në krahun tjetër të favorizojë në prag të fushatës firmat pranë vetes.

Mjafton një vëzhgim në të gjitha zonat ku janë kryer të tilla investime për të kuptuar skandalin e ndodhur pak muaj pasi janë riveshur me asfalt, ku gropat nuk kanë vonuar të shfaqen. Rasti i rrugës së Drishtit është një prej tyre, apo ajo Rragam – Sheldi, ku Ademi 2 muaj pas inspektimit dhe përmbylljes së njërës fazë, deklaroi nisjen e fazës së dytë, që më pas u zhduk në drejtim të paditur. Ende edhe sot banorët presin fadromat dhe përmbylljen e rrugës, por premtimi ka mbetur në leter./ShkodraNews