Pandeli Majko 5 milionë USD në bankat e Qipros, ja kush e spiunoi

Akuzat dhe dëshmitë për pasurinë e ministrit të lojës ‘Mos u nxeh’, fshehja e parave të pista nga Majko në bankat e Mesdheut, u spiunua nga Mamuthi i korrupsionit, Anastas Angjeli, shok interesash me Ilir Metën


Pandeli Majko, sot ministër i Diasporës, i njohur ndryshe edhe si ministri i lojës ‘Mos u nxeh’, është akuzuar dhe lakuar nga politikanë të së majtës dhe së djathtës për fshehjen e 5 milionë USD para të pista në bankat e Qipros, vend në të cilin ruajnë paratë shumë politikanë të korruptuar të Evropës dhe më gjerë, pasi ruan sekretin bankar. Në Qipro dhe Zvicër ruhet sekreti i transaksioneve bankare prej dy vitesh. Ka dyshime të forta se një grup politikanësh shqiptarë, të cilët kanë mbajtur poste ministrash, kryeministrash, drejtorësh etj., gjatë periudhës së pluralizmit kanë fshehur paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve në bankat e Qipros dhe Zvicrës. Dërgimi i parave në rrugë tokësore dhe ajrore ka nisur që prej 20 vitesh.



Vitet e fundit, sipas raportimeve të institucioneve shqiptare dhe shërbimeve partnere, politikanët shqiptarë po i dërgojnë paratë edhe në Maltë, Maqedoni, Greqi, Bullgari dhe Rumani. Evropa Juglindore është kthyer në një oaz për fshehjen e pasurive të paligjshme të krerëve të organizatave kriminale të trafiqeve, korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë. Mes politikanëve të akuzuar për fshehjen e parave të pista në parajsa fiskale është edhe Pandeli Majko, i cili vitin e kaluar ka blerë një shtëpi me vlerë mbi 200 mijë euro.



Personi që dyshohet se e spiunoi për herë të parë Majkon është Anastas Angjeli, i konsideruar si Mamuthi i korrupsionit në Shqipëri. Angjeli është shok i ngushtë pazaresh dhe interesash me Ilir Metën, i konsideruar si koka e korrupsionit në Ballkan. Angjeli ka deklaruar pasuri dhe para jashtë vendit, ndërsa Meta dyshohet se ka fshehur dhjetëra miliona euro në Angli. Meta dhe Angjeli janë njohës të mirë të mekanizmit të fshehjes së parave jashtë vendit. Angjeli ishte pjesë e qeverisë së Ilir Metës si ministër Financash. Kur Nano e rrëzoi Metën dhe bëri Majkon kryeministër, çuditërisht Majko nuk e mori në qeveri Angjelin, por bëri Kastrtiot Islamin ministër të Financave.

Nisur nga informacionet dhe të dhënat sekrete të publikuara nga Anasatas Angjeli, Sali Berisha akuzoi Pandeli Majkon se kishte fshehur 5 milionë USD në bankat jashtë vendit. Në vitin 2002, Edi Paloka, një i besuar i Berishës, ia përmendi sërish Majkos çështjen e fshehjes së parave. Paloka u shpreh: “Sa për dijeni, Z. Majko, tregohu pak më i vëmendshëm, pa ju përmendur firmat për tankerat që për pak dogjën Durrësin dhe as familjarët sekserë, për të cilët ju ka akuzuar kryetari juaj. Po ju njoftoj se së fundmi, një nga ish-ministrat e qeverisë suaj të fundit, e Qeverisë Meta, ka deklaruar se ju keni një konto bankare prej 5 milionë dollarësh në një nga bankat e ishujve të Mesdheut. Nuk dua të merrem me vërtetësinë ose jo të kësaj akuze, por i qendroj asaj që thashë se këto janë akuza që i keni hedhur ju për njëri-tjetrin. Po deshe ta them dhe emrin e ministrit, por jam i bindur që e di se kush është, është një që nuk e vure ministër dhe tani po të akuzon përditë”.

Meqenëse akuza për fshehjen e parave nuk vërtetohej me dokumente, pasi Qipro ruan sekretin bankar, Majko tentoi më vonë që ta kthente në humor këtë akuzë. Vite më vonë, Majko u shpreh: “Diku nga viti 2000, unë kisha dhënë dorëheqjen si kryeministër, dhe kryetari i opozitës, zoti Berisha, në atë kohë bënte opozitën e dytë, ishte në kulmin e vetë të akuzave. Në atë periudhë doli në publik dhe tha që Pandeli Majko ka 5 milionë USD në bankat e Qipros. Dhe të them të drejtën, e mbaj mend mirë atë mëngjes që kam ardhur në Parlament, mendova se do më thumbonin, do më thonin “ç’janë këto histori, ku, tek, si…” Kalova në këtë sallë dhe vajta në kafe dhe çfarë të shoh, “mirëmëngjesi” njëri, “mirëmëngjesi o yll”, tjetri. “Ti paske qenë i madh”, më thoshin të tjerët. U ula në një tavolinë, që u çuan 12 veta në këmbë, duke më pritur dhe duke më thënë “eja dhe ulu”, dhe e di kush ishte konkluzioni? “Ne të dinim të mbaruar, por ti paske qenë tepër i veçantë”. Pra, kjo është psikologjia mbi të cilën funksionojmë ne te kafja”.

Megjithatë, fakti që Majko nuk e pranoi Angjelin në qeveri flet shumë, pasi Angjeli kishte përhapur sekretin e dërgimit të parave në Qipro. Në vitin 2019, Majko blen një shtëpi 232 mijë euro në Tiranë. Majko tha se këtë lëvizje në pasuri ia kishte kërkuar një agjenci mike. Javët e fundit, ministria me në krye Majkon, ka bërë një tender skandaloz dhe fyes, duke blerë 2 mijë kuti “Loja mos u nxeh’. Edhe me këtë skandal Majko u përpoq të bëjë humor!/Pamfleti