Para ndeshjes me Kamzën, konfirmohet largimi i titullarit të Vllaznisë

Dan Ignat mund të thuhet zyrtarisht se nuk është më lojtar i Vllaznisë. Lojtari nuk është paraqitur në Shkodër që prej dhjetorit të vitit të kaluar, edhe pse nuk dihen arsyet e këtij largimi të papritur nga kuqeblutë.

Por, tashmë largimin e tij e konfirmon edhe trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika. Në prononcimin e tij për mediat, Lika tregoi se Ignat nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë për arsye përsonale. “Mungesë nuk do të kemi ndaj Kamzës, përveç mbrojtësit Dan Ignat. Me shumë gjasa nuk do të jetë pjesë e ekipit. Ai ka kërkuar që të largohet për arsye përsonale.” – tha Lika.

Nuk dihet ende nëse klubi Vllaznia do të marrë masa ndaj lojtarit apo ka pasur një bashkëpunim mes mbrojtësit dhe drejtuesve dhe çdo gjë është zgjidhur me mirëkuptim. Por, një largim i tillë i mbrojtësit rumun natyrisht që lë një boshllëk në mbrojtje dhe prish planet e teknikut Lika, që detyrohet të rikthehet me 4 mbrojtës në prapavijë. /ShkodraNews