Paradoksi i Qeverisë së fasadave, 5 mijë lek ndihmë sociale, kur më shumë së dyfishi shkojnë maskat për familje

Qeveria shqiptare dhe ministria e shëndetësisë çdo ditë po propagandojnë me të madhe që të përdoren maskat, kryesisht në ambiente të mbyllura, apo kontakte me njerëz, si e vetmja masë për të parandaluar përhapjen e Covid 19.

Një logjikë që zë vend dhe aq më shumë kur tashmë njëzëri ekspertët botëror po e quajnë domosdoshmëri për sa kohë që ndaj koronavirusit nuk ka një vaksinë. Por paradoksi i kësaj qeverie është përballë qytetarëve të saj që sot luftojnë me një tjetër semundje, atë të sfidës për mbijetese, mes skamjes e mjerimit.  Ato pak familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, mes morisë së atyre që kanë nevoje për këtë përkrahje, shteti u jep në muaj 5 mijë lekë të reja, apo 50 mijë lekë të vjetra (për 4 persona). Ndërkohë blerja e një maske në treg kushton 100 lekë të reja, apo 1000 lekë të vjetra. Duke kryer një përllogaritje të thjeshtë prej 4 anëtarësh, i bie që atyre u duhen 4000 lekë të vjetra vetëm për maska, pa dezinfektues apo doreza. E për një muaj kur dihet që maskat janë një përdorimshme, shuma shkon disa herë më shumë, ndërsa shteti u jep disa herë më pak. Në të tilla raste këtyre familjeve shpresa e vetme u mbetet që të mos preken nga virusi, e të kenë sa më pak nevojë për tu përballur me ambjentet e mbyllura, apo aty ku maska është e detyrueshme, sepse paratë që u jep qeveria nuk do t’i dilnin as për maska, e jo më për të ngrënë, paguar energjinë elektrike apo nevoja të tjera që normalisht ka cdo familje.

Ky është paradoksi i një qeverie që mendon për fasada, punon për interesa klienteliste dhe jo për qytetarët që përballë varfërisë e skamjes, i duhet të përjetojnë edhe frikën e panikun nga një armik i padukshëm.