Paralajmërimi i fortë i Qeverisë për emigrantët dhe biznesmenët, ja skema si do funksionojë. Kush përfiton “legalizim të parave”



Nga emigrantët deri tek sipërmarrësit, gjithkush do të ketë mundësi të deklarojnë të ardhurat që ka mënjanë e t’i depozitojë ato në bankë.



Nëse deri më sot për ta bërë këtë aplikohen disa filtra që shërbejnë si garanci për burimin e të ardhurave, me zyrtarizmin e amnistisë fiskale dhe penale, kjo do të bëhet fare lehtësisht.
Por cilat do të jenë kategoritë që do të përjashtohen?



“Nga amnistia e përgjithshme fiskale do të përjashtohen kategorikisht të gjithë ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi. Ashtu sikundër janë të paaministueshme të ardhurat e politikanëve dhe të rrethit të tyre familjar, të gjykatësve, prokurorëve dhe të rrethit të tyre familjar, të punonjësve të Policisë dhe të rrethit të tyre familjar, si dhe të gjithë atyre drejtues të shtetit që janë subjekt i deklarimit të pasurive. Për këto kategori, nuk ka amnisti dhe paratë apo asetet e këtyre kategorive, që janë subjekt i deklarimit të pasurive, nuk mundet asnjëherë të legalizohen nëse vijnë nga veprimtaria e paligjshme”, tha Rama. Sipas tij, nisma do të legjitimohet duke marrë 84 vota, duke lënë të kuptohet se do të ketë edhe mbështetjen e opozitës parlamentare. Deklarimi i të ardhurave nuk do të jetë plotësisht një zgjedhje e lirë. Kryeministri la të kuptohej se do të ketë penalitete për ata, të cilët nuk do t’i binden amnistisë.

“Ama me një afat të caktuar dhe mbasi afati i amnistisë mbaron, çdo para dhe çdo aset që është jashtë sistemit të formalizuar, konsiderohet para kriminale dhe aset kriminal dhe trajtohet njësoj si paratë dhe asetet e krimit. Nuk ka më asnjë tolerancë të mundshme nga ana e shtetit”.