“Parcelat ishin pranë me kufō̄mat, por policia…”/ Lleshaj në Shkodër takim me dyer të mbyllura, pyetja që s’i dha dot përgjigje



Togfjalëshi “Zero Kanabis” në Shqipëri nuk është i panjohur. Eshtë artikuluar vazhdimisht nga kupola e lartë e policisë së shtetit dhe ministrat që kanë ndërruar karriget në ministrinë e brendshme në gjithë këto vite.



Këtë herë ishte radha e Sander Lleshaj për ta ripërsëritur premtimin se viti 2021, tashmë do të shënonte fundin e një fenomeni, që në Shqipëri nuk ka rreshtur së egzistuari, përkundrazi ai ka ardhur duke u rritur vit pas viti, sa ta klasifikonte vedin tonë si “Kolumbia e Ballkanit”.



Në analizën me dyer të mbyllura që zhvilloi me drejtuesit e lartë të policisë së shtetit dhe strukturën vendore të Shkodres, ministri Lleshaj i pati përpara syve shifrat e plota që jo vetëm dëshmojnë rritje të sipërfaqes së kultivuar, por edhe strategjinë e re që është përdorur për t’u shmangur rënia në sytë e policisë.

Madje Shkodra është një nga qarqet problematike, e sikur të mos mjaftonin shifrat në rritje, vetëm pak javë më parë në këtë territor dy jetë u shuan nga konflikti për kanabisin. Parcelat gjendeshin pranë me kufomat dhe policia nuk dinte gjë, apo luante rolin për këtë fakt dhe Lleshaj nuk e permendi si detaj, por shpejtoi ta anashkalojë.

Përgjegjesi nuk pati ndaj policisë si përgjegjese për kontrollin e territorit, ndaj të cilës madje vetë Lleshaj dhe vartësit e tij kishin vënë afate, e sanksione të qarta kur nuk ndërhyhej. Lojrat e fjalëve në shumë raste janë më të rrezikshme se fenomeni, i cili i shtuar në sasi dhe cilësi, mund të jetë premisë e të qëndruarit gati për zgjedhjet e 25 prillit, me të cilat na ndajnë vetëm pak muaj.

Raportet ndërkombëtare por edhe opozita në Shqipëri ka hedhur vazhdimisht akuza se shtimi i sipërfaqeve me lëndë narkotike është një sinjal i fortë që grupe të caktuara po bëhen gati për zgjedhjet. Lleshaj e rrëzoi si tezë, por koha do ta dëshmojë kush ka të drejtë në këtë mes.

Ndaj ministrisë së brendshme dhe policisë së shtetit në këto momente pyetja që mund të ngrihet me të drejtë është: A janë realisht të kënaqura me rezultatet që prezantojnë dhe sa e pasqyrojnë situatën e vërtetë në terren? Muajt në vijim mund të sjellin përgjigjen që sot mbeti pa “përgjigje”. /ShkodraNews