Pas Holandës, ky shtet europian nis diskutimin për heqjen e vizave për shqiptarët

Politikanët zviceranë po eksplorojnë mundësinë e heqjes së vizave për shqiptart, pas kërkesës së Holandës drejtuar Komisionit Evropian.

Këshilltari kombëtar nga Kantoni i Ticinës, që i përket partisë kombëtare të ligës, Lorenzo Quadri, kërkoi një interpelancë me Këshillin Federal pasi rikujtoi se parlamenti holandez në javët e fundit ka miratuar me shumicë të madhe një mocion për ripërtëritjen e kërkesës për viza për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në zonën Shengen.

“Parlamenti holandez – shkruan Quadri – ka motivuar kërkesën e tij me rritjen shqetësuese të krimit, veçanërisht të tipit mafioz, që vjen nga Shqipëria.

Është theksuar se në Holandë jetojnë gjashtë herë më shumë shqiptarë sesa ato që janë deklaruar zyrtarisht, dhe se sipas policisë së Roterdamit, mafia shqiptare është organizata më e dhunshme kriminale në atë qytet gjatë viteve të fundit.

Një problem tjetër i ngritur është emigracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë në Holandë, veçanërisht meshkujt e rinj. Komisioni Evropian gjithashtu ndikon Zvicrën, pasi vendi ynë ka nënshkruar marrëveshjet e Shengenit”, thotë teksti i kërkesës për interpelancë, siç raportohet nga Corriere Del Ticino.

Ndërkohë që shtypi francez po tregon gjithashtu shpërthimin e kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë. Sipas Le Figaro, kërkesat e azilkërkuesve shqiptarë janë në rritje gjatë vitit 2019, me 32%, duke i renditur ato në të njëjtin grup me haitianët, malianët, gjeorgjianët dhe guineasit.