Pas periudhës ‘rozë’ me socialistët Voltana Ademi kujtohet edhe për demokratët, gjendja e nderë me opozitën në Shkodër

Demokratët e Shkodrës kanë lënë pas festat dhe i janë rikthyer angazhimit publik, ku 2020-ta ka rikthyer në selinë blu edhe kryebashkiaken Voltana Ademi. Kjo e fundit pas një mungese të gjatë, e kur duket se ka mbyllur bashkëpunimin me sukses në fundvitin 2019 me socialistët, ka vendosur të kujtohet edhe për partinë. E djathta është në prag të përkujtimit të një ngjarje të rëndësishme sic është 14 Janari 1990, e më pas pritet që deri në fund të muajit Janar të bëhet publike axhenda politike, ku me gjasa opozita e bashkuar do t’i rikthehet protestave. Tashmë për selinë blu nuk është aspak e lehtë të veprojë sic ka bërë deri më tani, pasi Ademi ka një pushtet me të kontrolluar nga këshilli bashkiak i përbërë prej socialistësh, e shumë prej anëtarësisë së partisë ka mbetur pa një funksion publik. Gjithashtu mungesa e deputetëve në kuvend e ka lodhur jo pak opozitën, zëri i së cilës veçanërisht në muajt e fundit është zbehur, e ku peshën kryesore e ka mbajtur vetëm kryedemokrati Basha dhe ndonjë denoncim i ish deputetëve të caktuar, kryesisht për tema të nxehta të politikës qendrore. Në Shkoder panorama ka qënë krejt tjetër, ku asnjë prej deputetëve, apo ish zyrtareve të lartë të PD, me përjashtim të ndonjë deklarate blic të selisë, nuk e kanë shfrytëzuar krizën e PS dhe situatën e vështirë që ka mazhoranca në këtë qytet, që nga riorganizimi i strukturave, tek drejtorët rajonal, e aq më shumë investimet që në Shkoder kanë humbur në drejtim të paditur. Paaftësia e opozitës lokale për të kapur këto tema i ka dhënë efektet e veta dhe ndjeshëm ka një pesimizëm të theksuar mbi fatin e një qyteti si Shkodra, që prej 7 muajsh është në krizë të thellë politike. Mbetet për tu parë se cili do të jetë hapi që do të bëjë opozita, por gjasat janë që ashtu si mazhoranca që prej 7 vitesh në Shkoder është në hije, edhe kjo e fundit të mos ndjehet megjithë nevojën që ka sot qyteti që zëri i saj të jetë më i fortë se kurrë. Stepje me gjasë i ka dhënë edhe loja që po bën kryetarja e bashkisë në detyrë, e cila po arrin tu marrë më së miri votat socialistëve, e bashkëpunimi me ta ka rezultuar me frytëdhënës edhe se me këshillin e vjetër që si shumicë kishte të djathtën./ShkodraNews