Pas takimit me ambasadorët 90 minuta, Rama nis mbledhjen e firmave. Ja ç’po ndodh

Partia Socialiste nisi menjëherë me mbledhjen e firmave të deputetëve, për të çuar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Firmat e para sapo janë hedhur nga anëtarët e Komisionit te Ligjeve.

Ky është hapi i parë për të filluar procedurën e shkarkimit të Presidentit, për të kaluar në seancë plenare ku kërkohen 2/3 e votave, 94 vota.

Në këto kushte, mazhorancës i duhen edhe 16 vota nga opozita e re.

Sakaq, para këtij veprimi, 90 minuta ka zgjatur takimi i kryeministrit me ambasadoret e vendeve të BE-së dhe SHBA, i thirrur nga Rama për t’i informuar për shkeljet Kushtetuese që sipas tij Presidenti Meta ka bërë.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se me vendimin e anulimit të zgjedhjeve Ilir Meta humbi të drejtën që të qëndrojë në atë zyrë dhe se kjo çështje është në shqyrtim. Sot kreu i shtetit Ilir Meta ka dalë në një konferencë për shtyp, duke mbajtur të njëjtin qëndrim në lidhje me anulimin e zgjedhjeve.

Përpara medieve, Ilir Meta firmosi sot vendimin për dekretimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, me argumentin se shtyrja e zgjedhjeve nuk krijon vakum në qeverisjen vendore, ndërsa shtoi se ky vendim është mjeti emergjent për zgjidhjen e krizës politike.