Pas takimit me Bashën flet Kryemadhi, zbulon detajet e takimit me aleatët

Sapo ka përfunduar mbledhja e kreut të PD-së Lulzim Basha me aleatët, mbledhje e zhvilluar në Selinë Blu, ku në fokus të diskutimeve ka qenë dështimi i negociatave dhe zgjidhja e krizës politike në vend.

Pas takimit të opozitës së bashkuar, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka folur para medias, ku ka zbardhur dhe diskutimin mes krerëve opozitarë.

Kryemadhi tha se çështja e integrimit të Shqipërisë në BE mbetet në fokus të opozitës. Sipas saj ashtu siç edhe u tha nga BE, Shqipëria duhet të kthehet në rrugën ligjore dhe të shkojë në zgjedhje të reja, dhe të sigurojë votën e lirë dhe të ndershme.

‘Shkaktari i kësaj situate dhe largon vendin nga BE është kryeministri Edi Rama, është ai që duhet vendosur para përgjegjësisë. BE e vendosi para përgjegjësisë, edhe Maqedonia e veriut u ndëshkuar për shkak të Shqipërisë. Pa zgjidhjen e krizës politike shqiptarët nuk mund të kenë asnjë mundësi për tu integruar. Ne nuk duhet të bëjmë më asnjë hap të gabuar, për të arritur në atë që ne duhet të jemi të gjithë në një pikë, të cilët janë zgjedhjet e reja të cilat duhet të sjellin rrënimin e këtyre mureve. Unë dhe opozita jemi të qartë se e ardhmja e Shqipërisë është BE. Mendoj se ka ardhur koha të reagojmë ndaj kësaj situate ku e ka futur Rama vendin që është një rrugë pa kthim’, deklaroi Kryemadhi.