Pas zonjës Merit, parashikon Nano: Në 30 Qershor do ketë inci.dente, në votime më pak se 20 % e shqiptarëve, ja kurthi i opozitës

Ndërsa na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet e 30 Qershorit, dhe në kushtet kur PD refuzon të hyjë në këto zgjedhje, pas zhdekretimit të tyre nga Presidenti Meta, gazetari Mustafa Nano në monologun e së martes në emisionin “Provokacija”, parashikoi se çfarë do të ndodhë sipas tij ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale.

Sipas Nanos, zgjedhjet do të zhvillohen dhe do të ketë incidente të vogla. Megjithatë nuk do të ketë bllokim të zgjedhjeve sipas tij. Nano theksoi se opozita ndodhet në një situatë të vështirë.

Ai parashikon gjithashtu që pjesëmarrja në votime të dielën do të jetë shumë e ulët. Megjithatë çfarëdo që të ndodhë në fund sipas Nanos, zgjedhjet do të japin një produkt që do të jetë legjitim.

“Lind pyetja. Çfarë do të ndodhë me datë 30 Qershor? Unë nuk e kam idenë. Askush nuk e ka idenë. Demokratët dhe përgjithësisht opozita ka marrë vendimin për të bojkotuar këto zgjedhje dhe ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Socialistëve ua ka qejfi që vendimi i demokratëve dhe i opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje të jetë thjesht vendim për të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe jo vendim për të prishur zgjedhjet. Megjithatë këtë nuk e dimë. Unë kam bindjen që zgjedhjet tani do bëhen sepse është marrë konfirmimi i partnerëve ndërkombëtarë, i cili është arbitri i vetëm i besueshëm në këtë vend sot për sot. Nuk janë të besueshëm njësoj për të gjitha palët, por sidoqoftë aktorë më të besueshëm se ndërkombëtarët, në ditët e sotme në Shqipëri nuk ka.

Mendoj që do të ketë incidente tek-tuk. Ky është parashikimi që unë bëj, por nuk do të ketë bllokime të zgjedhjeve. Unë mendoj që PD dhe opozita është në një situatë shumë të vështirë. Është në kurthin e dy vendimeve që këta njerëz kanë marrë vetë. Vendimi i parë për djegien e mandateve dhe vendimi i dytë për bojkotimin e zgjedhjeve lokale. Nëse do tentohet të prishen zgjedhjet unë kam përshtypjen që horizonti i PD-së fillon edhe mbyllet deri sa mbyllet fare. Lajmi që ka dalë sipas së cilit PD-së i kanë ardhur sinjale se janë bërë telefonata nga partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë që janë edhe shumë të rëndësishëm dhe u është thënë që të mos guxojnë të prishin zgjedhjet, unë nuk besoj se është legjendë. Është një gjë e vërtetë. Është shumë e besueshme që të jetë kështu. Nëse PD dhe opozita tentojnë të prishin zgjedhjet, në këtë rrethanë mendoj që kanë prishur vetveten, i kanë mbyllur horizontin vetvetes.

Në datë 30 Qershor përveç një dhune sporadike që mund të verifikohet tek-tuk unë mendoj që do verifikohet edhe një gjë tjetër që më duket e rëndësishme: do ketë një pjesëmarrje të ulët në votime. Demokratët e dimë që nuk do votojnë, socialistët e dimë që nuk kanë ndonjë arsye shumë të rëndësishme dhe esenciale për të votuar sepse fitoren e kanë në xhep, dhe në këtë kuptim pjesëmarrja do të jetë katastrofikisht e ulët. Unë mendoj se nëse do të jenë në votime më shumë se 20% e shqiptarëve atëherë do të jetë kulmi i suksesit, por nuk besoj se ka për të shkuar 20%.

Kjo është ajo që unë parashikoj të ndodhi në datë 30 Qershor. Nuk do të ndodhin gjëra të rënda, nuk do të ndodhin gjëra të frikshme, nuk do të ndodhin gjëra të rrezikshme, por sidoqoftë zgjedhjet do të jenë një karikaturë elektorale, do të jenë një karikaturë e zgjedhjeve normale, të cilat do të japin një produkt i cili megjithatë do të jetë legjitim”, tha Nano.

Mustafa Nano theksoi gjithashtu se opozita gjendet në një situatë të vështirë për shkak të vendimeve që ka marrë. Sipas tij, opozita priste që ndërkombëtarët ta mbështesnin kur dogjën mandatet dhe bojkotuan zgjedhjet. Më tej, ai tha se demokratët do të zhgënjehen pas zgjedhjeve dhe do ngrejnë zërin kundër Bashës, që i futi në këtë rrugë.