PD e LSI duan komisionerë, por qeveria nuk di nga t’ja mbajë. Ja skenari me KZAZ për prishjen e zgjedhjeve

Opozita e dalë nga Parlamenti, dorëzon të shtunën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e anëtarëve për në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor përmes sekretarit për çështjet zgjedhore Ivi Kaso.

PD dhe LSI, edhe pse nuk garojnë me kandidat në zgjedhjet e 30 qershorit, kërkuan të shfrytëzojnë të drejtën ligjore për të pasur komisionerë.

Veprimin e tyre PD dhe LSI, e argumentuan se duan të jenë pjesë e brendshme e procesit zgjedhor, pasi sipas tyre mazhoranca është duke bërë shkelje, siç është sipas tyre, edhe regjistrimi i kandidatëve për kryebashkiakë.

Ndërkohë, kjo shihet si një mundësi nga opozita joparlamentare për të penguar dhe bllokuar procesin zgjedhor, duke mos paraqitur ditën e votimeve komisionerët e saj.

SAKAQ, anëtarët e KQZ, nuk kanë qëndrim të qartë për anëtarët e KZAZ të opozitës.

Vendimi i shpallur i opozitës për paraqitjen e komisionerëve, ndërsa nuk është regjistruar në zgjedhje, ka krijuar amulli tek maxhoranca, që gjendet mes dy vendimeve të dëmshme, pa zgjidhje.

Vendimi për mosregjistrimin e komisionerëve të opozitës, është jo vetëm shkelje e Kodit Zgjedhor, që parashikon se i takojnë opozitës sipas zgjedhjeve të fundit, pa e parashikuar pjesëmarrjen në zgjedhje, por njëkohësisht është përjashtim i opozitës nga procesi zgjedhor.

Një vendim që do ta nxirrte akoma më keq maxhorancën, në kushtet e zgjedhjeve pa kandidatë të opozitës.

Vendimi për regjistrimin e kandidatëve, nga ana tjetër do të shkatërronte procesin zgjedhor, nëse ata nuk do të lejonin procedurën e votimit.

Janë rreth 20 mijë komisionerë që i takojnë opozitës në KZAZ dhe KQV, të cilët mund të prishin procesin njëkohësisht duke e bërë të pamundur edhe ndërhyrjen e KQZ apo të policisë.

Hyrja e komisionerëve të opozitës në komisione, do të garantonte prishjen e procesit.

Për këtë arsye, vendimi i Kryetarit të Partisë Socialiste, është që të mos regjistrohen komisionerët e opozitës.

Ky vendim u është komunikuar 4 anëtarëve të PS në KQZ, të cilët megjithatë hezitojnë të votojnë në kundërshtim me Kodin.

Deri tani situata është pezull, në pritje të listave nga opozita. Kur procedura të kryhet dhe të jenë përpara domosdoshmërisë së marrjes së vendimit, tensioni do të jetë akoma më i madh.