Për ata që sot kanë shpresë vetëm këngët e Stresit, gurët dhe hunjtë



Kur Kryeministri i sotëm ishte në opozitë, teksa fliste si analist politik më shumë sesa lider opozite me patosin e zakonshëm të fjalimeve të tij, theksonte se problemi më i madh i Shqipërisë në 100- vjetorin e themelimit të shtetit ishte varfëria dhe injoranca, të cilat Rilindja e tij kur të vinte në pushtet do t’i përmbyste, për t’i dhënë të rinjve një atdhe modern dhe Europian, të sigurtë dhe me progres ekonomik të fortë.



Ishte koha kur kryeminister ishte Sali Berisha. Në atë kohë, diku te 70 vjeç dhe “ylli në ngjitje”, siç e quante ambasadori Arvizu, Lulzim Bashën, kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Këta të dy vendosen që në 100-vjetorin të bënin festime megalomane, gjigante në mes të Tiranës me paradë ushtarake dhe nje tortë gjigante.
Në atë kohë ata ishin në përmbyllje të 8-vjeçarit të tyre në pushtet, që nga 2005, dhe tashmë të bindur se kishin bërë “mrekulli” ekonomike me njerëzit dhe festimet e 100-vjetorit, do t’i bënin në funksion të garës së tyre për një mandat të tretë.



Për të qenë të sigurt se “armiku” opozitar i punonte ndonjë rreng me votuesit e njësisë 5 apo 2, në miting sollën elektoratin e tyre nga Paskuqani, Lapraka apo Kamza. Asnjëherë në historinë e Shqipërisë nuk është prodhuar një skenë aq e turpshme dhe e sikletshme sa ajo, kur njerëzit u sulën me legena dhe kazana në dorë të merrnin pjesë nga ajo torta e famshme e 100-vjetorit të Pavarësisë.
*
Vitet kaluan ndërkohë që Rilindja erdhi në pushtet oligarket e Berishës u bënë oligarkët e Ramës. Mediat e Berishes u bënë mediat e Rilindjes. Të ashtuquajturit “të fortë” kuptuan se nuk ja vlente të bësh luftë me shtetin për drogën dhe trafiqet, mjafton të kesh politikën ortake!
Ata u konvertuan një pjesë në biznesmenë(Pse të bësh 10 vjet burg me drogë në Itali, kur ato lekë i fiton me një tender bashkiak apo qeveritar në Shqipëri?!).

Tirana u kthye si “Dubai”, nuk u la asnjë hapësirë të gjelbër publike, lindën kulla dhe pallate pa fund e kështu në Durrës, Vlorë e ca qytete të tjera. Të pasurit që prodhoi kjo epokë u futën nëpër vila, nëpër fshatrat e tyre, në periferi me shkollat milionere për fëmijët e tyre dhe vilat e tyre si ato të Beverly Hills. Fëmijët e tyre që 18 vjeç, a më pak, dalin me makina super milionere nëpër bllok apo klubet eskluzive të bregdetit me “të dashurat “, që i ndërrojnë çdo natë me lekët e babit dhe pastaj i merr dhe babi apo shoku i babit, pastaj gjithçka duket si në parajsë, në insta, fcb dhe rrjete të tjera sociale.
A i keni parë si rrihen dhe gjuhen si laca çunat dhe gocat e babit me pistoleta dhe këmbë karrigesh? Çunat cuba të babit për të kapur “pjeshkat “e bllokut , rregullisht postojnë gjithçka në internet dhe rregullisht policia, “shqiponjat”, s’i kapin kurrë se dhe kur i kapin, i lirojnë shefat.

Ata postojnë nga bregdeti foto eskluzive në jahte dhe helikoptera, me shampanjë e të mallosur, të stërveshur me Channel, Guçi, Versace… Ata jetojnë në Shqipërinë ideale!
*
Ndërkohë janë rritur edhe fëmijët e tortës së Pavarësisë, si Klodiani fatkeq, i rritur dhe i vrarë në 1 natë dhjetori nga Policia në Laprakë, te dera e shtëpisë së vetë, e ndërtuar nga prindërit të ardhur nga Dibra me shumë sakrifica.

Prindërit e tyre me shumë sakrifica kanë ardhur nga Veriu dhe Jugu e janë vendosur nëpër periferitë e Tiranës. Atyre nga Jugu, ata të qendrës së Tiranës, i kanë thënë katundarë, ndërsa atyre nga Veriu çeçenë.

Baballarët e tyre i kanë rritur duke dalë çdo ditë te “Ushtari i panjohur” për 1 ditë pune si puntor krahu. Djemtë janë rritur duke shpresuar, se kur të rriten do shkojnë në Angli,Gjermani,Itali apo së fundmi edhe në Ekuador. Vajzat, se do mbarojnë shkollat dhe do martohen me princin e tyre, zakonisht emigrant apo dhe të fillojnë ndonjë vend pune në qendër të Tiranës, shtet apo privat, duke u paguar dhe u bërë dashnorja e ndonjë shefi.

Ka nga ato edhe më të bukurat, të cilat kanë zbuluar “një zanat të ri”: Eskortën, nga Dubai e deri në Kosovë e Maqedoni.

Aty në periferinë e tyre në Paskuqan, a diku tjetër, nuk ka asnjë kinema, asnjë teatër, asnjë fushë sportive, tek e tuk ndonjë xhami apo kishë të vogël. Ama edhe ata kanë internet, facebook, instagram si fëmijët e atyre që jetojnë vetëm 1 kilometër larg tyre.
Ndonje prej tyre bëhet edhe polic, për të pasur mundësinë që një ditë të bëhet shef, si ky ditëziu që vrau Klodianin e shkretë, viktimë e të njëjtës tragjikomedi që të rinjtë jetojnë në Shqipërinë e sotme. Ata janë të gjithë fëmijët e prindërve të tortës së Pavarësisë.
*
Ndërkohë erdhi 2019-ta, një vit me shumë trazira politike, në fund të vitit erdhi dhe ai tërmeti i dhunshëm dhe shkatërrues, që nuk do shkulet kurrë nga mendjet tona. Atje, në Durrës, në periferi, në Kënetë, në Thumanë dhe në të gjitha periferitë e kësaj zone solli lot, vrau e shkatërroi shtëpi dhe ekonomi.

Më tej erdhi pandemia, kufinjtë u mbyllën dhe bashkë me to edhe njerëzit nëpër shtëpi. Bashkë me to u shtua stresi dhe varfëria. Spitalet u mbushën e tashmë çdo ditë vdesin me dhjetëra njerëz e nuk ka vende, nuk ka ilaçe, oksigjen e vende në spital. Nuk ka bukë e nuk ka shpresë!
Ndërkohë baballarët dhe nënat e atyre, atje matanë, te qendra, kur sëmuren marrin charter e shkojnë të kurohen në Turqi, Itali apo Zvicër. Edhe kur vdesin, ata vdesin si milonerë, kurse baballarët e fëmijëve të tortës së Pavarësisë i hedhin në një qoshe, në ndonjë thes në morgun e Tiranës, kur shkojnë në spital, sepse shpesh nuk shkojnë as në spital.

Ata jetojnë në një vend ku propaganda mediatike është e gjitha e shpërndarë në 4 duar dhe media më e pavarur është ERTV-ja, edhe më e pavarur se televizionet e oligarkëve që vijnë era plehra apo palate, që pastrojnë lekë droge apo ata të italianëve, që natyralizohen shqiptarë duke marrë miliona euro prona në mes të Tiranës me 1 euro metrin, apo gazetarëve që banojnë të gjithë tek vilat në fshatrat e oligarkëve.
Fëmijët e tortes së pavarësisë nuk kanë as drita në darkë që t’i shohin ato emisionet e tyre të shpëlara, ku flitet për ta, të cilat ata s’i kuptojnë dhe as i përfillin. Ata janë tjetër gjë sot, ata po bëjnë tjetër gjë.
*
Ata kanë kuptuar më në fund forcën e tyre. Ata kanë kuptuar se forca e tyre është zemërimi. Ata kanë kuptuar se këto mjedise të përdala luksi me mediat e tyre, kanë vetëm një mënyrë që ata t’i dëgjojnë duke bërë zhurmë dhe duke shprehur mllefin e rinise së tyre.

Ata kanë kuptuar së këta, “milionerët”, nuk qenkan dhe kaq trima, se kanë frikë nga dajaku dhe nga humbja e rehatisë që kanë krjuar me shpatullat e prindërve të tyre. Ata kanë kuptuar se janë ata, “milionerët”, të dobët se bijtë e tortës së Pavaresise s’kanë me ç’të humbasin, ndaj dhe shkopat e gomës dhe burgosja nuk i tremb, se po të rrijnë të heshtur prapë atë e kanë të siguruar apo më keq, të hanë ndonjë kokërr plumbi në ndonjë natë të errët nga ndonjë polic idiot, apo ndonjë bashkëmoshatar bandit.
Bijtë e tortës së Pavarësisë i urrejnë partitë aktuale në pushtet apo opozitë, sepse ato i kanë shkatërruar jetën prindërve të tyre dhe ato nuk mund t’i japin një të ardhme atyre vetë.

Bijtë e tortës së Pavarësisë adhurojnë Stresin, se Apartheidi në të cilin janë rritur vetem Stresin i kanë lënë si shpresë, pasi të tjerët ua kanë vrarë. Sot ata kanë shpresë vetëm këngët e Stresit dhe të ardhme vetëm ata gurët dhe hunjtë, me të cilin ata duan të shembin Apartheidin në të cilin janë rritur.
Pa u shemb ai Apartheid ata kanë vetëm një alternativë: Të jenë pikërisht ata të hurit dhe të litarit, siç i quan rëndom kryeministri, si e vetmja mënyrë për t’i dëgjuar dhe respektuar në Aparthdeidin e Oligarkisë.

Marre nga Facebook i autores Anisa Bahiti