Perandoria që po i rrënohet nën këmbë Voltana Ademit, ja çfarë po ndodh brenda Bashkisë së Shkodrës


Një shprehje e vjetër thotë “kalova lumin të … kalin”. Kjo shprehje po gjen më së miri kuptim në Bashkinë e Shkodrës të drejtuar nga Voltana Ademi. Pasi për 3 vite bëri sipas dëshirave të tij, duke shfrytëzuar çdo të mirë që i dha posti i nënkryetarit të bashkisë, Dritan Meta vendosi të largohet duke u rehatuar në një bankë private në postin e drejtorit.


Mjaftoi një përplasje për interesa klienteliste mes tij dhe Voltana Ademit, që ai të zgjidhte rrugën më të shkurtër, të dilte nga varka, e të niste një udhëtim të ri, duke i vendosur kapakun çdo hapi të hedhur deri atëherë si bashkëpunëtorë të ngushtë. E në fakt ky largim u komentua gjatë dhe ngriti shumë pikëpyetje pas, por duket se nuk do të jetë i fundit dhe aq më shumë nga emrat e ngushtë bashkëpunëtorë të Ademit. Siç duket një pjesë e tyre e kanë kuptuar fatin politik të bashkëpunëtores së tyre, me të cilin për 3 vite “projektuan bashkinë e dështimit”, e tashmë po bëjnë gati valixhet për të nisur rrugëtime të reja, duke i ikur varkës që po mbytet nga timonierja Ademi.


Shkodraneës ka mësuar nga burime të sigurta se të tjerë bashkëpunëtorë të Ademit janë gati të largohen, madje një pjesë e tyre duke shkëputur edhe lidhjet me qytetin, e duke hedhur sytë më tutje. Ata e kanë kuptuar se e kanë të përcaktuar fatin e tyre me largimin e Voltana Ademit nga drejtimi i bashkisë, pas 30 qershorit dhe kanë nisur të projektojnë pozicionet e reja, larg pushtetit vendor dhe lidhjeve me partinë demokratike.


Kjo natyrshëm për ta është rruga më e thjeshtë dhe e lehtë, për t’i ikur çdo përgjegjësie me gjithçka çfarë arritën të bëjnë në këto 3 vite e gjysmë, ku nuk lanë hapësirë pa vendosur dorë, e duke gllabëruar çdo fond të mundshëm. Pasi e “vjelën” Bashkinë Shkodër, sot fare mirë mund të ikin duke larë duart, e duke mos mbajtur aspak përgjegjësi për asgjë, sepse këtë komoditet ja dha vetë qytetarja e parë e Shkodrës, e cila mendoi se nuk do t’i mbaronte kurrë mandati dhe mund të bënte çdo gjë me taksat e qytetareve. Tashmë le ta gëzojë të gjithë atë që ndërtoi, e që po sheh se si një pjesë e “kështjellës prej rëre” po i shembet pa mbyllur mandatin, duke i plasur si një mine me sahat.