Përgjigje që vonojnë me javë, testimet për Covid “mina me sahat” e strukturave shëndetësore



Instituti i shëndetit publik dhe ministria e shëndetësisë po bëhën të parat shkaktare të përhapjes në mënyrë të frikshme të Covid 19 në Shqipëri, ndërsa kanë dështuar totalisht në menaxhimin e situatës, ku testimi që kryhet mund të cilësohet hallka më e dobët. Puka është një prej vatrave të kuqe, që pa frikë mund të cilësohet një “minë me sahat”.



Janë plot 84 tamponë që prej ditësh të tëra, madje edhe një prej 1 jave presin përgjigje nga ISHP, por deri më tani askush nuk di të thotë se kur do të mbërrijë pikërisht kjo përgjigje, për tu thënë qytetareve të testuar nëse janë apo bartës të virusit.



Si munden këto struktura të bëjnë të tilla lojra në një kohë kaq delikate, kur një pjesë e madhe e këtyre qytetareve i kanë të gjitha simptomat e Covid, që nga temperatura e deri tek shenjat e tjera lehtësisht të verifikueshme nga mjekët. Me cfarë përgjegjesie ministria u kërkon atyre të lënë punën dhe cdo angazhim tjetër e të ngujohen për ditë të tëra në shtëpi në pritje të një pergjigjeje, kur në të gjitha shtetet e botes nuk vonon që në pak minuta, apo më ekstremja 24 orë dhe përgjigjia i mbërrin qytetareve nëse janë apo bartës të virusit.

Paradokse të tilla ndodhin vetëm në vendin tonë, ku një përgjigje vonon me ditë të tëra, ndërsa ministria raporton në buletinin ditor mbi 1400 testime mesatarja dhe mbi 300 të infektuar në ditë. Po ti referohemi edhe dhjetra tamponëve që mbeten në pritje prej ditësh të tëra, i bie që në Shqipëri realiteti të jetë krejt tjetër nga ai që deklarohet prej autoriteteve shëndetësore. Askush nuk flet për këtë fakt dhe të gjithë kanë zgjedhur të heshtin, që nga pjesa drejtuese e strukturave shëndetësore, e deri tek specialistët e fushës.