Përhapën lajmin e rremë për tërmet, shoqërohen në polici dy gazetarë (EMRAT

Dy gazetarët që kanë përhapur lajmin e rremë se në orën 23:30 do të bjerë një tërmet të fuqishëm, janë shoqëruar në polici. Mësohet se uniformat blu kanë shoqëruar në Komisariat gazetarin e “Syri.Net” Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, pasi lajmi i publikuar në këto dy portale ka përhapur panik tek qytetarët, të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë dalë në rrugë, nga frika se do të përballen nga një tjetër tërmet.

“Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët.

Policia e Shtetit ka ngritur nëj grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët. Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që  do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët”, njofton policia.