Përmbytja e vendit nga reshjet, denoncimi i Prençit është i padëgjuar më parë: Viti i parë në histori që s’ka asnjë…



Pas një vere të thatë, mjaftuan shirat e parë të vjeshtës që Tirana por edhe qytete të tjera të paralizohen nga përmbytjet.



Shemsi Prençi, ish-drejtuesi i Emergjencave Civile, në një intervistë për Ora News denoncon me shqetësim se ky është viti i parë ku asnjë nga 61 bashki të vendit nuk kanë marrë asnjë masë për të përballuar problematikat që sjell vjeshta.



Prençi: Mund të jetë viti i parë dhe historik që nuk është marrë asnjë masë për periudhën e vjeshtës, qoftë në aspektin e pushtetit qëndror, qoftë atë vendor. Nuk mund të themi për shiun e sotëm në Tiranë, por dy ditë më parë kishim blackout të sistemit të kanalizimeve në qytetin e Durrësit dhe të Lezhës po kështu dhe të Vlorës ku qytetarët e Durrësit në mënyrë të veçantë u shfaqën në pushtetin e ujit. Pushteti vendor dhe ai qëndror nuk ka marrë masat për pastrimin e sistemit të kanaleve dhe pusetave në zonën urbane dhe në mënyrë të veçantë pushteti qëndror për sistemin e kanaleve të ujërave të larta për të përcjellë ujërat e tepërta në drejtim të hidrovoreve dhe detit. Nga 61 bashki, asnjë bashki nuk ka raport të saktë mbi punët që ka bërë për garantimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të mesme dhe të larta në mënyrë që të përballohet intensisteti i reshjeve të para të vjeshtës. Pas një vere shumë të nxehtë, pritej që reshjet e para në formë shtrëngate, siç erdhën, do të përballnin pushtetin qëndror dhe vendor me këto probleme.

Duke u ndalur në kryeqytet, Prençi tha se zona më problematike është ajo e “Don Boskos” që mbledh ujërat e gjithë Tiranës dhe sërish nuk bëhet asnjë investim.

Prençi: Jemi mësuar ta shohim rrugën “Don Bosko” gjithmonë të përmbytur, jemi mësuar të shohim të gjithë ato rrugë që janë në nivelet më të ulëta të qytetit të Tiranës, dhe përsëri nuk nxjerrim mësime dhe nuk u jepet prioritet investimeve në këto segmente të Tiranës me qëllim që të parandalohen përmbytjet.

Për të parandaluar situata të tilla, Prençi thotë se duhen bërë investime të perspektivës. Ndërsa ngre shqetësimin edhe mbi ndërtimet pa kriter.

Prençi: Kur kam qenë drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile kam pasur debate me drejtues të lartë të qeverisë për segmentnin e autostradës nga Casa Italia në qafën e Kasharit.U bë një autostradë e bukur me lule dhe bojëra por u ngushtuan kanalet. E njëjta gjë është në sistemin e kanalizmeve tënëndheshme në rrugën “Don Bosko”, asnjëherë nuk është investuar në sistemin e kanaleve madje nuk mirëmbahet dhe sistemi ekzistues që të përballojë 50% të prurjeve të shirave që mblidhen nga të gjithë rrugët e Tiranës. Nuk ka ku të shkojë kjo sasi uji që mblidhet. Nuk kam parë projekt serioz për të zgjidhur këtë problem.Përpos asaj, po t’i referohemi sistemit të ngarkuar të lejeve të ndërtimit që janë dhënë në bashkinë e Tiranës dhe inertet që janë të derdhura në rrugët e Tiranës, shiu i parë që bie i mbledh, dhe ku do ti çojë? Në puseta dhe sistemin e kanaleve që janë të papastruara.