Përparim Kabo bën një analizë të shkëlqyer: Ju nuk e keni me të drejtën morale të flisni në emër të shqiptarëve

Nga Përparim Kabo

Përtej një keqkuptimi të qëllimt me termin shqiptarët…

Kemi më shumë se dy dekada që dëgjojmë të shpërdorohet fjala shqiptarët…Politikanë të të gjitha krahëve shprehen si pa gjë të keq duke e nisur fjalinë …”se shqiptarët e dinë, se shqiptarët më në fund e kanë kuptuar,…se shqiptarët do e bëjnë këtë dhe atë”… që me demek shpallet si mbritja te fitorja e fundit…” Shqiptarët janë një popull dhe një komb që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, por dhe jashtë saj në disa vende në rajonin e Ballkanit por edhe në emigracion në Greqi në Itali në Gjermani, Francë, Angli, vendet e Ulëta, Skandinavi, në Amerikën e Jugut dhe në USA në Kanada dhe në Rusi e Kinë. Të thuash se po bën një gjest politik apo jo të tillë në emër të shqiptarëve do të thotë të gabosh rëndë. Ka një pyetje të thjeshtë. Ku dhe si i pyete ti person apo parti politike qofsh, shqiptarët? Si e sigurove përgjigjen e tyre miratuese apo kundërshtuese në mënyrë referendare? Ndaj është e padrejtë moralisht dhe e gabuar ligjërisht të shprehesh në këtë mënyrë. Qytetari në Republikën e Shqipërisë ka të drejtën e votës, pra delegon sovranitetin e tij sa herë që organizohen votime për pushtetin qëndror apo për pushtetin lokal.

E bënë këtë delegim mbi bindjet e tij, bazuar te programi që paraqet secila forcë politike, e ka të lidhur këtë sjellje me raporte të caktuara historike, me interesa, apo me raporte familjare. Pasi delegon sovranitetin ai pret që i zgjedhuri ose si njihet ndryshe “shërbyesi publik”- “public servant”, të mbaj premtimet dhe të mos zhgënjejë. Nëse partia jote politike nuk i fiton zgjedhjet atëhere programi i saj politik dhe mbështetësit e saja duhet të presin një tjetër kohë kur ajo Parti apo koalicion të fitojë zgjedhjet. Shumica që i fiton zgjedhjet si edhe paralajmëronte Herbert Spencer nuk duhet të nëpërkëmbi demokracinë institucionale duke u sjellur në mënyrë arogante dhe duke i hapur udhë autoritarizmit. Vendimarrja politike duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pavarësisht se për kë kanë votuar apo cilit rreshtim partiak i takojnë. Në një shoqëri të demokracisë përfaqësuese pavarësisht se sa e besueshme është ajo për shkak të zgjedhjeve (nëse ato janë të lira dhe të ndershme) dhe çfarë lloj përfaqësimi prodhojnë, (të besueshëm të pabesueshëm apo criminal) kur flitet nuk është e drejtë të thuhet ‘ se po flitet në emër të shqiptarëve’….

Kjo mënyrë dhunon cilindo që as të ka adresuar një tagër të tillë. Dje në Parlament pamë një shfaqje shumë të shëmtuar,…por më keq u ndjeva kur dëgjova justifikimet. Hedhësi i bojës ndaj fytyrës së kryeministrit u shpreh…”unë se bëra për veten time unë e bëra për shqiptarët dhe pastaj rreshtoji të gjitha akuzat që opozita përsërit ndaj kryeministrit dhe qeverisë…” Përgjigjet kryeministri duke thënë…” nuk e kanë më mua, e kanë me ju…duan që unë që jam mes jush dhe atyre të largohem…pra ai po na mbron ne”! Të dyja qasjet janë pa sens. Nëse ju zotni jeni i fyer për shkak të imitimit që ju bëri kryeminsitri, (i cili në gjykimin tim është një gjest prej një axhamie sepse nuk fyhet tjetri në defektin natyror,) atëhere thuaje…e bojatisa më të zeza sepse më ka fyer me atë gojë, dhe mos kërko që të fshihesh pas gishtit duke thënë se unë e bëra për shqiptarët. Edhe ju zoti kryeministër bëjini apel vetes, a e kontrollon veten çfarë bën dhe çfarë thua…atje nuk je si përfaqësues i vetes apo i familjes tënde, je si përfaqësues i një shumice elektorale. Lëri replikat azër xhevap dhe politikën si batutë, mos fyej njeri se fyhen veten dhe postin që mban.

Nuk thuhet në parlament “ ju i hani gruas dhe familjes sime atë që nuk thuhet…” Po kur nuk thuhet pse e thua. Nëse mendoni se njëra palë është me popullin dhe tjetra kundra popullit dhe të dy palët “përgjëroheni për shqiptarët,” gënjeni të dyja palët. Po shikoja top story mbi mafien e kromit, atje ishit të dyja palët, nëse spitalet janë mavri atje jeni të dyja palët, nëse studentët shëprthyhen atje jeni të dyja palët. Ka ardhur një ditë ku ju së paku nuk e keni më të drejtën morale të flisni në emër të shqiptarëve…!