Përplasja Meta-Rama po lë ‘jetime’ Shkodrën, ndërkohë që Voltana Ademi vijon ‘dashurinë’ e saj të re

“Nuk ka nevoje për datë të re zgjedhjesh në Shkodër, pasi zgjedhjet janë më 13 Tetor për të gjithë Shqipërinë”. Kështu deklaronte Ilir Meta pak muaj më parë, menjeherë pas 30 qershorit dhe kaosit që u krijua me këtë bashki. Por 13 Tetori dështoi dhe Shqipëria nuk votoi, e për pasojë Bashkia e Shkodres nuk ka një kryetar të ri. Çelësat e zyrës vijon ti ketë Voltana Ademi, që mban postin, edhe pse mandati i ka mbaruar. Ekspertët e çështjeve zgjedhore thonë se zgjidhja për këtë bashki mund të vijë vetëm përmes një date të re, të cilën duhet ta dekretojë Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Por kur ndodhemi në kushtet e përplasjeve mes institucionit të Presidencës dhe maxhorancës, zgjidhja edhe për Shkodrën mund të vijë vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit ende nuk është krijuar dhe nuk dihet se kur do të finalizohet kjo gjë, prandaj kur ndodhemi në gjysmën e tetorit, i bie që më gjasa kriza të zgjasë të paktën deri në 2020. Zyra e Presidentit ka bërë me dije se kreu i shtetit Ilir Meta i qëndron deklaratës së bërë në muajin Gusht, se edhe në Shkodër votimet ishin më 13 Tetor, edhe pse ato dështuan pasi KQZ nuk ju bind dekretit dhe qytetarët nuk shkuan të votojnë. Me këtë ngërç, e fituara në këtë mes del Voltana Ademi, ndërsa socialistët që për herë të parë ju gëzuan marrjes së Shkodres pas 3 dekadash, i duhet t’i falen demokrates për cdo veprim, ose së paku të bëjnë aleanca me të. E ndërsa aleancat i ka pranuar, Ademi po mundohet të shfrytëzojë deri në pikën e fundit këtë amulli të krijuar, që nuk bën asgjë tjetër perveçse çon uje në mullirin e saj. Me afrimin e dhjetorit, muaj kur do të kalojë projekt buxheti i 2020 dhe pika të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me ecurinë e punës së bashkisë për vitin e ardhshëm, do të kuptohet edhe më shumë hilja e Ademit dhe forca që kanë socialistët, që deri më tani janë dorëzuar përballë kësaj situate./ShkodraNews