Përse Ambasadori i OSBE iu shmang mediave në Shkodër? Pyetjeve që Borchard iu tremb

Perse Bernd Borchard iu shmang mediave ne Shkoder?

Sa herë mediat i kanë kërkuar një prononcim e ka dhënë, por këtë herë zgjodhi të mos japë asnjë detaj, të mos flasë qoftë edhe një fjalë të vetme për krizën politike ku është zhytur Shqipëria dhe situatën e krijuar me bashkitë, që një e nga një po dorëzohen në duart e mazhorancës.

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchard pas një takimi plot 2 orësh me Voltana Ademin në zyrën e saj, pranoi vetëm që kishte prekur këto zhvillime, por për mediat dhe opinionin publik ato duhej të mbeteshin të fshehta.

Sic duket ambasadori ju tremb pyetjeve mbi këtë proçes, aq më shumë kur në Shkoder socialisteve u ka plasur një skandal me kryetarin e ri, ku ai sipas opozitës rezulton të jetë i dënuar në Itali dhe të preket nga ligji i dekriminalizimit. Voltana Ademi këtë pikë nuk dihet nëse ja ka prekur apo jo, por Borchard e di mirë që për demokratët ky mund të jetë një moment fitoreje, i një tjetër denoncimi.

Megjithatë ajo që bëri më shumë përshtypje në gjithë këtë mes nuk ishin këto çeshtje, por ajo që duket se Ademi e bën me vetëdije të plotë dhe duke e llogaritur cdo lëvizje.

Ajo i hapi dyert dhe rrefeu për plot 2 orë në takimin e ngushtë me njeriun që demokratët dhe opozita e kanë sulmuar ashpër, vecanerisht përpara 30 qershorit, por edhe pas kësaj date. Të gjithë i kujtojnë deklaratat nga selia blu, apo edhe parullën që ju shkrua Borchard në hyrje të pallatit ku ai qëndron.

Kjo nuk i bën përshtypje Ademit, sepse ajo zgjedh të shkojë kundër rrymës, e ti dëshmojë haptazi Lulzim Bashës se është kundër linjes së tij, pasi për të ndërkombëtarët kanë tjetër rëndësi, e ku ka më mirë se këtë ta bësh duke e shprehur publikisht.

Megjithatë nga burime të sigurta në këtë takim një gjë është e qartë, Borchard në asnjë rast dhe në asnjë rresht nuk i ka dhënë mbështetje Ademit që të mos lirojë zyrën apo aq më pak që ajo të bëjë skena rezistence, sic ka ndodhur në disa bashki.

Madje ai ka shkuar deri në atë pikë sa i ka bërë të qartë që ka qënë gabim i opozitës që nuk ka hyrë në zgjedhje dhe tashmë pasojat duhet ti mbajnë përmes një reflektimi të qartë.

Kujtojmë që pak kohë më parë Ademi ju shkroi trojkës së ambasadoreve duke i kërkuar ndihmë, por deri më sot përtej takimeve, asnjë nuk i ka dhënë mbështetje e aq mq pak ta përkrahë idene e saj që Shkodra të qeverisë si në 1913 – 1914! / ShkodraNews