Përse Edi Rama nuk e do Kosovën?

Nga Ana Shkreli Lisi

Që kryeministri i Shqipërisë nuk ka lidhje me politikën e jashtme, këtë e di i madh e i vogël. Barcoletat që tregohen për të, në kohën kur mori pushtetin, janë nga më të shumëllojshmet. Njerëz pranë tij tregojnë se shpesh, këshilltarëve të vet, u është dashur të hapin hartën për t’i treguar se ku bien gjeografikisht fqinjët ndërkohë që për më shumë, merreni vetë me mend nivelin e të Nr. 1 të qeverisë në diplomaci.

Mirëpo ajo që po ndodh këto ditë është e paprecedent në historinë e shtetit shqiptar. Edi Rama ka dalë hapur kundër Kosovës dhe sidomos kryeministrit të saj në detyrë, Ramush Haradinaj. Edi Rama ka koleksionuar shumë gafa diplomatike gjatë karrierës së tij, por veprimet e muajve të fundit kanë kaluar çdo cak. Dhe sikur të mos mjaftonte sjellja e tij prej fëmije të llastuar në kancelaritë evropiane dhe lojrat ndërballkanike me Aleksandër Vuçiç në krah, ditën kur Kosova përkujtonte masakrën e Reçakut (e ku Rama nuk mori pjesë!), Ramush Haradinajt i shkoi fjala se kryeministri vëlla i Shqipërisë i kish ngritur padi për shpifje.

E thënë më shqip, në një kohë kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për ta pasur Shqipërinë në krah, kryeministri i këtej kufirit thotë nëpërmjet një padie gjyqësore se ndihet shumë i lënduar nga homologu i vet, gjithashtu shqiptar 24 karat.

Turp!

Po pse duhet të ndihet kaq i lënduar Edi Rama nga Ramush Haradinaj?

Këtë e di vetëm Edi Rama!

Që Rama u bë krah me Hashim Thaçin dhe përkrahën në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë ndarjen e Kosovës, këtë e di i madh e i vogël. E dinë edhe ndërkombëtarët sepse po të mos kish qenë për ta, një kryeministër si Rama do ta kishte pranuar e mbrojtur publikisht këtë tezë. Dihet gjithashtu edhe se Kryeministrit tonë, këtë variantin e korrigjimit të kufijve ia futi në vesh këshilltari i zemrës, Baton Haxhiu. Dhe Rama, si një njeri që s’ia ka idenë politikës së jashtme, jo vetëm e përkrahu, por filloi të injoronte publikisht e ndërkombëtarisht edhe homologun e tij, Haradinajn, përjetësisht kundër kësaj ideje.

Inatin e tij për këtë çështje Rama e shprehu hapur në Samitin e Berlinit, një vit më parë. Në atë samit, u “varros” përfundimisht ideja e “korrigjimit të kufijve” mes Serbisë dhe Kosovës, që në thelb të saj synonte kalimin e Mitrovicës së Veriut nën Serbi dhe Kosova merrte një pjesë të Luginës së Preshevës. Me këtë faturë të paguar, Serbia do të pranonte të njihte Kosovën, por lakmia serbe u këput pa u prezantuar mirë publikisht. Faktori ndërkombëtar, veçanrisht BE, e përfaqësuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e kundërshtuan duke e konsideruar një nismë me rrezik për të gjithë Ballkanin, që mund të hapte rrugën për nisjen e konflikteve etnike dhe pretendimeve territoriale.

Por si reagoi Edi Rama?

Siç bën zakonisht me çdo gjë që ka lidhje me pushtetin dhe që për të nuk është veçse një lodër e çastit me të cilën argëtohet. Pikërisht në atë kohë, Ramush Haradinaj vuri taksën 100% për mallrat serbe, veprim që u kritikua edhe nga Evropa. Por Rama, nuk e telefonoi homologun e një gjaku për t’i thënë “të përmbahej”. Ai as u afrua. Por, tamam si një inatçi tinëzar, priti Samitin e Berlinit dhe, pak për të “marrë hak” ndaj kryeministrit të Kosovës e pak (siç e mendon ai), për të fituar kredo para Merkel e Macron, ia bëri aty kritikën e tij Haradinajt për këtë taksë. Deklarata e Ramës ishte pak a shumë e llojit: “I kam thënë, po ku merr vesh ky!”

Që nga ajo kohë, Rama vetëm ka mbajtur inat.

Një inat prej të sëmuri që ka pjellë veç precedentë të rrezikshëm për të dy shtetet, duke kulmuar me idenë e Minichengenit Ballkanik. Për arsye që vetëm një Zot i di, Edi Rama tanimë është vënë hapur përkrah Vuçiç dhe Zaev në këtë nismë. Kosova e refuzoi këtë iniciativë me argumentin se i jepte fuqi të madhe ekonomike dhe politike serbisë. Gjithashtu edhe Mali i Zi dhe Bosnja e shohin me skepticizëm marrëveshjen që, nëse arrihet, i hap rrugë tregtisë dhe lëvizjes së lirë të njerëzve në të gjithë vendet nënshkruese të kësaj marrëveshje, e cila është ende në fazën e përgatitjes.

Por Rama jo vetëm që nuk ndalet, por ka lështuar edhe deklarata publike kundër Kosovës gjatë takimeve tre-palëshe (me Vuçiç dhe Zaev), që pretendojnë se flasin në emër të Ballkanit, por që u mungon gjysma e vendeve të gadishullit.

Zullumi vazhdon të trashet.

Politika e Edi Ramës është ajo e një armiqësie të ftohtë me Kosovën e paparë dhe dëgjuar ndonjëherë. Kulmi u shënua me mospjesëmarrjen e tij në dy aktivitete të rëndësishme për Kosovën: përkujtimi i masakrës së Reçakut dhe takimi i mirënjohjes për Shqipërinë që i erdhi në ndihmë kosovarëve në ditët e tyre të vështira, të viteve 1998-1999. Në të dyja, Edi Rama nuk mori pjesë.

Atij i ka ngelur ora tek padia për shpifje.

Por nga buron gjithë kjo armiqësi?

Ndoshta lobimi i fortë i Baton Haxhiut, mendimet dhe qëndrimet e të cilit dihen publikisht? Të ketë vallë kaq fuqi një njeri si Batoni në politikën ndërkombëtare të Shqipërisë? Mundet! Ministri i Jashtëm në detyrë është pikërisht peshqesh i tij edhe pse zëra brenda qeverisë thonë se tanim ai është aneksuar dhe nuk e luajti dot lojën e rëndë të Batonit dhe Ramës. Nga ana tjetër, një personazh si Edi Rama, mjafton pak të marrë për kot, në inat dhe në vendime. Sidomos në ato të marrëdhënieve ndërkombëtare, me të cilat nuk ka asnjë lidhje.

Të jetë diçka më e thellë që shkon tek Vuçiç dhe ndikimi rus? As kjo nuk do të ishte çudi. Politikanët shqiptarë lakohen herë pas herë si të ndikuar dhe Rama nuk i ka pasur kurrë të qarta idetë sa i takon kahut ndërkombëtar që mban. Ai herë flirton me Turqinë dhe vendet arabe, herë me perëndimin e herë me Rusinë.

Edi Rama politikën e jashtme e ka si gjumin, të trazuar.

A mund të jetë diçka më e thjeshtë, krejt ordinere? Ndoshta! Nëpër opinione thuhet se Rama nuk e kapërdiu dot mësimin që Ramush Haradinaj i dha një ditë pas tërmetit të 26 nëntorit. Haradinaj dha provën se si duhet të jetë jë burrë shteti dhe se si duhet të sillet në raste të ngjashme dhe jo vetëm. Gjë që Rama nuk e bëri dot as atë ditë, as të nesërmen dhe as kurrë.

Të gjitha këto të mbledhura bashkë, vetëm sa e kanë tërbuar kryeministrin shqiptar. I cili nuk e kupton se sidomos politika e jashtme nuk të fal.

Gafat e llojit të tij, thjeshtë të nxjerrin shumë shpejt jashtë loje.

Por megjithatë si vazhdon të gabojë çdo ditë!/Pamfleti