Pësoi aksident teksa ndiqte Salah, ylli i Liverpulit bën gjestin madh për fëmijën 11-vjeçar

Një histori sa për të ardhur keq, por deri diku edhe qesharake. Një fëmijë 11-vjeçar së bashku me të vëllain panë idhullin e tyre Mohamed Salah teksa dilte me makinë nga Melwood, qendra stërvitore e Liverpulit.

Mirëpo, për t’u afruar dhe për të parë edhe pak më shumë sulmuesin e të kuqve, djaloshi filloi të ndiqte makinën e lojtarit.

Duke qenë se vëmendja ishte e gjitha e fokusuar te idhulli i skuadrës së tij, 11-vjeçari harroi të shikonte para duke u përplasur me një nga shtyllat e dritave anash rrugës.

Kjo situatë nuk shpëtoi pa u dalluar nga Salah, i cili menjëherë ndali makinë dhe u afrua te djaloshi për të kontrolluar nëse gjithçka ishte në rregull.

11-vjeçari theu hundën, megjithatë dhimbjet kaluan në plan të dytë, pasi në fund gjithçka ia vlejti teksa takoi nga afër heroin e tij duke bërë edhe shumë foto për kujtim.